Login
Webmail

INSTITUCIONI I AVOKATIT TE POPULLIT PERKUJTON DITEN E TE DREJTAVE TE NJERIUT

 

Me rastin e 10 Dhjetorit, Ditës së Të Drejtave të Njeriut, Institucioni i Avokatit të Popullit bën thirrje për shtim të përpjekjeve kombëtare në sfidën e përbashkët për më shumë dinjitet dhe respekt për cilindo anëtar të shoqërisë sonë, vecanërisht për ata më të dobëtit, njerëzit pa përkrahje, të varfërit, të moshuarit, gratë dhe fëmijët.

Dita e Të Drejtave të Njeriut, përkujton miratimin 69 vjet më parë të Deklaratës Universale të Të Drejtave Të Njeriut nga vendet anëtare të OKB-së.

Si një ndër vendet anëtare të kësaj Organizate, Shqipëria ka obligimin për të respektuar dhe zbatuar të gjitha detyrimet që lidhen me frymën e kësaj Deklarate.

Shqipëria është sot një vend që më shumë se kurrë ka nevojë të tregojë fytyrën e saj humane dhe mund ta bëjë këtë më së miri duke i dhënë vendin që meriton këtij dokumenti të rëndësishëm që përbën një gurthemel në ngrehinën e madhe globale të të drejtave të njeriut.

Avokati i Popullit cmon se vetëm duke u treguar më njerëzorë, më të kujdesshëm ndaj qytetarëve, ne do të arrijmë si shoqëri të realizojmë misionin tonë në qytetërimin perëndimor ku bëjmë pjesë.

Varfëria është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet sot shoqëria jonë. Shumica e shqiptarëve jetojnë sot në varfëri dhe institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se përpjekjet për ta crrënjosur këtë vulë të shëmtuar të kohës ku jetojmë, duhet të jenë preokupimi i të gjithëve, në shoqëri, institucione qeverisëse, edukim, drejtësi e kudo.

Nuk ka të drejtë më themelore njerëzore sesa ajo e cdo individi për të mos iu nënshtruar skamjes, mjerimit, urisë dhe pamjaftueshmërisë.

Institucioni i Avokatit të Popullit u bën thirrje të gjithë aktorëve që kanë kapacitetin dhe mundësitë për të sjellë një ndryshim në këtë sfidë të gjatë e të madhe të secilit prej nesh, të bëjë pjesën e vet në këtë përpjekje mbarëkombëtare e ndërkombëtare.

Dita ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, mund të shërbejë pra si një moment i vlefshëm reflektimi dhe analize për të riparë secili koordinatën e tij në këtë përpjekje dhe për të gjetur rrugën për të dhënë kontribut.