Login
Webmail

Bashkërendimi Ndërmjet Nënkomitetit për Parandalimin e Torturës (SPT), Komitetit për Parandalimin e Torturës (CPT), dhe Mekanizmave Kombëtarë për Parandalimin e Torturës  (MKPT)

 

Komente paraprake

Llojet e MKPT-ve dhe kërkesat kryesore

Shkëmbimi i njohurive

Bashkëveprimi i CPT/MKPT në kuadrin e vizitave:

  • para dhe gjatë vizitës,
  • pas vizitës.

Disa çështje të veçanta:

  • komunikimet individuale që i adresohen CPT-së,
  • çështjet kryesore të publikimit,
  • anëtarësimi simultan i CPT-së dhe MKPT-ve,
  • pjesëmarrja në vizita të përbashkëta.

 

Komente paraprake

Sistemi i mbikëqyrjes së pavarur në vendet ku personat janë të privuar nga liria, përbën një garanci themelore kundër keqtrajtimit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut. Komiteti për Parandalimin e Torturës (CPT), që nga fillimi i aktivitetit të tij, ka rekomanduar themelimin e strukturave të pavarura kombëtare, të afta për të kryer vizita periodike në burgje, njësi policore dhe institucione të tjera të privimit të lirisë. Mekanizmat e monitorimit në nivel kombëtar- qofshin këto borde që kryejnë vizita, zyra të Avokatit të Popullit, apo entitete të ngjashme- duke qenë se janë burime të përshtatshme të pajisura me njohuritë e kompetencat e nevojshme, mund të ndërhyjnë më shpesh dhe më shpejt se çdo organ ndërkombëtar.

Hyrja në fuqi e Protokollit Opsional të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës dhe Trajtimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese (OPCAT) në qershor të vitit 2006, krijoi një perspektivë të re në lidhje me monitorimin e vendeve të privimit të lirisë dhe parandalimin e torturës. Ky traktat, ka themeluar Nënkomitetin për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese (SPT) si një mekanizëm të ri të pavarur monitorues ndërkombëtar, me kompetenca shumë të ngjashme me ato të CPT-së, por të shtrira në nivel universal. Është detyrë e CPT-së dhe SPT-së për të bashkëpunuar në shkëmbim të pikëpamjeve dhe njohurive teknike dhe në këtë drejtim.

Megjithatë, një aspekt tjetër i OPCAT, i ashtuquajturi "Shtylla e dytë", argumentohet si më i rëndësishmi. Shtetet, në respekt të Protokollit Opsional, janë të detyruara të parashikojnë në nivelin e brendshëm mekanizma parandalues ​​kombëtarë (MKPT) që janë të pajisur me kompetenca të gjera për të monitoruar vendet e privimit të lirisë. Në kontekstin Evropian, 31 shtete anëtare të Këshillit të Evropës e kanë ratifikuar tashmë OPCAT-in dhe deri tani 25 vende kanë ngritur MKPT-të përkatëse në përputhje me rekomandimin e CPT-së të përmendur më lart. Për Komitetin, është kthyer në praktikë standarde inkurajimi i shteteve të cilat nuk janë pjesë e marrëveshjes, me qëllim ratifikimin e OPCAT-it dhe ngritjen e mekanizmave parandalues ​​kombëtarë. MKPT-të janë partnerë të natyrshëm për CPT-në. Dhe efektiviteti i përpjekjeve për të ndihmuar shtetet evropiane në parandalimin e torturës dhe formave të tjera të keqtrajtimit në të ardhmen, varet në një masë të madhe në cilësinë e ndërveprimit ndërmjet Komitetit dhe këtyre mekanizmave.

Në paragrafët e mëposhtëm, CPT-ja ka paraqitur disa ide mbi mënyrën se si e sheh të ardhmen e marrëdhënieve të veta me MKPT-të, konkretisht nën dritën e nxitjes së bashkëpunimit ndërmjet Komitetit dhe aktorëve në nivel kombëtar.

 

Llojet e MKPT-ve dhe Kërkesat Kryesore

Nga MKPT-të që tashmë veprojnë në Evropë, mund të identifikohen tre modele kryesore:

  • Modeli Avokati i Popullit / Avokati i Popullit plus: Vendet që kanë ndjekur këtë qasje (p.sh., Shqipëria, Estonia, Gjeorgjia, Spanja), kanë përfshirë mandatin e MKPT-së brenda funksioneve ekzistuese të institucionit të Avokatit të Popullit. Në disa vende të tjera (p.sh., Republika e Moldavisë, Sllovenia), mandati i MKPT-së kryhet nga zyra e Avokatit të Popullit në bashkëpunim me aktorët e shoqërisë civile (OJF-të).
  • Modeli i një trupi të vetëm të pavarur: Vende të tilla si Franca, Lihtenshtejni e Zvicra, kanë krijuar një organ të veçantë ekskluzivisht për kryerjen e misionit të MKPT-së.
  • Modeli shumë-trupash: Në Holandë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, disa inspektorate ekzistuese dhe/ose institucione të specializuara të pavarura, janë caktuar bashkërisht të funksionojnë si MKPT duke koordinuar si një institucion i vetëm.

Strukturat MKPT-ve, reflektojnë pashmangshmërisht karakteristikat specifike të secilit vend, ndaj ato janë të ndryshme si në aspektin organizativ e buxhetor, ashtu edhe në atë të pushteteve e kompetencave. Duhet theksuar se CPT-ja nuk promovon një model të veçantë mbi tjetrin.

Megjithatë, Komiteti është i vëmendshëm që çdo mekanizëm pavarësisht formës së tij, të plotësojë kërkesat kryesore të përcaktuara në OPCAT dhe të zbërthyera nga SPT-ja në udhëzimet drejtuar MKPT-ve. Këto kërkesa përfshijnë pavarësinë funksionale të mekanizmave dhe të personelit përkatës, burimet e mjaftueshme, anëtarësimet e larmishme e me përvojë, si dhe mandatet dhe kompetencat në përputhje me OPCAT (Nenet 19 dhe 20), të përcaktuara në mënyrë të qartë në dispozitat kushtetuese dhe legjislative. Vlen të theksohet se shkalla e ndërveprimit ndërmjet CPT-së dhe çdo MKPT-je, varet në mënyrë të pashmangshme nga perceptimi i Komitetit mbi nivelin real të pavarësisë së secilit mekanizëm.

Kur CPT-ja has në situata në të cilat kërkesat e lartpërmendura nuk paraqiten të plotësuara, ajo e shtron çështjen tek autoritetet kombëtare. Për shembull, Komiteti ka komentuar në një sere raportesh mbi pamjaftueshmërinë e dukshme të burimeve të vendosura në dispozicion të disa MKPT-ve në vendet përkatëse. Në mënyrë të ngjashme, në një prej raporteve, CPT-ja ka theksuar një rast të veçantë në të cilin një MKPT nuk kishte akses të plotë për të inspektuar njësitë e policisë në objektet policore dhe në regjistrat e ndalimit (në kundërshtim të qartë me nenin 20 të OPCAT), ndaj dhe bëri rekomandime të qarta për të shmangur çdo përsëritje të situatave të ngjashme. Duke vepruar në këtë mënyrë CPT-ja ofron mbështetje konkrete për MKPT-të, një pjesë jo e vogël e të cilave janë ende në një fazë të hershme të zhvillimit të tyre.

Sigurisht, vetëm fakti i funksionimit në përputhje me OPCAT i MKPT-ve nuk përbën garanci për suksesin. Zotërimi i kompetencave përkatëse dhe burimeve adekuate është një gjë, dhe përdorimi i tyre me efektivitet është diçka tjetër.

 

Shkëmbimi i njohurive

Në vitet e fundit, CPT-ja ka marrë pjesë aktive në një sere evenimentesh, me synim nxitjen e organeve të ndryshme monitoruese të mandatuara për të parandaluar keqtrajtimin për një qasje koherente si në drejtim të standardeve ashtu edhe të metodave të punës. Kjo ka ndodhur në mënyrë të veçantë në kuadrin e Projektit Evropian MKPT, përmes takimeve tematike të punës dhe shkëmbimit të përvojës në terren. Komiteti ka marrë pjesë edhe në konferencat për themelimin e MKPT-ve në nivel kombëtar. Po ashtu anëtarët e CPT-së janë përfshirë në aktivitete trajnuese në vendin e tyre dhe në vendet e tjera me qëllim ndarjen e përvojave të vlefshme mbi metodat më efektive të kryerjes së vizitave në vendet e privimit të lirisë me qëllim parandalimin e torturës dhe të formave të tjera të keqtrajtimit.

CPT-ja ka gjithashtu si synim nxitjen e sinergjisë midis partnerëve kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e parandalimit të keqtrajtimit. Në këtë kontekst, Komiteti parashikon organizimin e shkëmbimeve të rregullta të pikëpamjeve mbi çështje aktuale, mes përfaqësuesve të MKPT-ve të themeluara dhe atyre funksionale.

Për çështje thelbësore, CPT-ja ka zhvilluar dhe vendosur gradualisht mënyrën e vet të vlerësimit. Kjo është bërë e mundur jo vetëm mbi bazën e gjetjeve empirike të Komitetit gjatë vizitave, por edhe në dritën e disa pikave kryesore të referimit, të tilla si rekomandimet e Këshillit të Evropës në lidhje me heqjen e lirisë dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, instrumentet e rëndësishëm të OKB-së për të drejtat e njeriut, dhe jurisprudencat përkatëse. Këto kritere të përgjithshme sigurojnë një bazë për vlerësimin dhe ofrimin e rekomandimeve në raportet e CPT-së.

Një proces i ngjashëm i zhvillimit të standardeve pritet edhe nga vendet të cilat e kanë ratifikuar OPCAT-in, duke mbajtur në konsideratë rrezikun e përplasjes mes qasjeve dhe interpretimeve për situata të caktuara, rrezik ky që mund të shmanget përmes shkëmbimeve të rregullta të pikëpamjeve. Është e kuptueshme që nuk mund të jetë e mundur arritja e standardeve të përbashkëta në të gjitha fushat, por çdo gjë duhet të bëhet për të lehtësuar koherencën e veprimeve të propozuara. Mënyra e saktë se si kryhet inspektimi i vendeve të privimit të lirisë duhet të jetë subjekt i shkëmbimit të vazhdueshëm të përvojës dhe njohurive, në mënyrë që në partneritetet e reja të promovohet sa më shumë të jetë e mundur një metodologji e qëndrueshme mbështetjeje dhe frymëzimi reciprok. Shkëmbimi i njohurive mbi përvojën e akumuluar, shërben për të rritur efektin e organeve monitoruese, qofshin ato kombëtare, rajonale apo universale.

 

Bashkëveprimi i CPT/MKP në Kuadrin e Vizitave

Vizitat periodike ose ad hoc të CPT-së, janë një moment kyç i marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet Komitetit dhe MKPT-së në vendin ku kryhet vizita.

Para dhe gjatë vizitës

Informacioni i mbledhur dhe prezantuar nga MKPT-ja përkatëse në konkluzionet dhe raportet vjetore para fillimit të një vizite periodike, është mjaft i rëndësishëm për identifikimin e temave kryesore të vizitës dhe vendeve të veçanta që do të vizitohen. Për rrjedhojë, është e nevojshme që të mbahet një komunikim i vazhdueshëm midis Sekretariatit të Komitetit dhe MKPT-ve, veçanërisht në muajt që i paraprijnë vizitës. Publikimi në fund të çdo viti nga CPT-ja, i listës së vendeve në të cilat do të ndërmerret një vizitë periodike në vitin pasardhës, e lehtëson këtë proces dhe mund të shërbejë si nxitës për vizita ad hoc nga vetë CPT-ja.

Në fillim të vizitës, duhet të organizohet një takim ndërmjet delegacionit të CPT-së dhe përfaqësuesve të MKPT-së. Në këtë mënyrë, delegacioni mund të përditësohet me informacionet që disponon MKPT-ja. Nga ana tjetër, delegacioni mund t’i bëjë me dije Mekanizmit përkatës rreth vendeve të privimit të lirisë që ai synon të vizitojë, duke zvogëluar rrezikun e dyfishimit të panevojshëm të punës, por edhe mund të vendosë që gjatë vizitës të ndryshojë programin e tij dhe të shkojnë në vende të tjera. Gjatë takimit mund të ofrohet gjithashtu mundësia e një diskutimi të përgjithshëm mbi punën dhe vështirësitë e hasura nga MKPT-ja në vendin në fjalë. Bazuar në këtë diskutim, gjatë bisedës së bërë në fund të vizitës dhe / ose në raportin final mbi vizitën, delegacioni mund t’u ngrejë probleme të caktuara autoriteteve përkatëse kombëtare.

Gjatë vizitës, delegacioni i CPT-së vepron në mënyrë autonome sipas prioriteteve të përcaktuara dhe nevojave të hasura në terren. Komiteti mirëpret praninë e një përfaqësuesi të MKPT gjatë takimeve të delegacionit të saj me autoritetet kombëtare. Përfaqësimi i MKPT-së është i dobishëm veçanërisht, gjatë bisedës së bërë në fund të vizitës, kur delegacioni jep komentet e veta paraprake si dhe ndonjë vërejtje të natyrës urgjente. Në këtë mënyrë, MKPT-ja mund të informohet direkt e pa vonesë, në lidhje me shqetësimet e CPT-së si dhe mund të ndërmarrë veprime të menjëhershme.

Pas vizitës

MKPT-të përkatëse duhet të garantojnë ndjekjen e problematikave të dala pas vizitave të CPT-së me qëllim monitorimin e zbatueshmërisë së rekomandimeve të bëra nga Komiteti. Megjithatë, rregulli i konfidencialitetit- i cili vlen për raportet e dala nga vizita e CPT-së deri në kohën kur merret autorizimi nga shteti përkatës për publikim- mund të veprojë si frenim në drejtim të shfrytëzimit të kësaj rruge të qartë për sinergji. Shtetet që kanë ratifikuar Konventën për themelimin e CPT-së dhe OPCAT-in, kanë interes të mirëfilltë të shohin që CPT-ja dhe MKPT-të përkatëse punojnë ngushtësisht. Për këtë arsye, shtetet duhet t’i kushtojnë rëndësi të madhe kalimit pa vonesë të raportit të dalë pas vizitës së Komitetit tek MKPT-ja përkatëse, me kusht që ai të trajtohet si konfidencial deri në kohën kur shteti bie dakord për publikimin e tij (një kusht i ngjashëm zbatohet për praninë e MKPT në bisedën e zhvilluar në fund të vizitës). CPT-ja konsultohet me MKPT-të për të bërë të zbatueshme rekomandimet e nxjerra dhe në kohën e duhur gjetjet diskutohen në sferën publike me aktorë të tjerë të fushës që lidhen me këto diskutime. Në fakt, në një numër vendesh, MKPT-të kanë marrë iniciativën dhe po zbatojnë rekomandimet e CPT-së.

Referime duhet të bëhen edhe për rreziqet e ndëshkimit të personave të cilët kanë janë intervistuar nga delegacioni i CPT-së. Falë kompetencave dhe kapacitetit për të siguruar një prani të menjëhershme, MKPT-të gëzojnë rrethana të favorshme për t’i parandaluar këto rreziqe.

 

Disa çështje të veçanta
 

Komunikimet individuale që i adresohen CPT-së

Pranë CPT mbërrijnë një numër i konsiderueshëm shqetësimesh nga persona të dënuar apo të afërmit e tyre, mbi trajtime keqtrajtuese në kushtet e privimit të lirisë. Këto komunikime e ndihmojnë Komitetin për të përftuar një pasqyrë të saktë të situatës së përgjithshme në një vend të caktuar dhe për të identifikuar tendencat shqetësuese. Megjithatë, CPT-ja në përgjithësi nuk ndërhyn në rastet individuale dhe nuk disponon burime për ta kryer një aktivitet të tillë. Roli i Komitetit nuk është ai i Avokatit të Popullit,

Çështjet kryesore të publikimit

Kur e gjykojnë të përshtatshme, MKPT-të, si organe të pavarura në nivel kombëtar, i kushtojnë vëmendje personave të cilët kanë komunikuar me CPT-në dhe merren me shqyrtimin dhe zgjidhjen e problematikës së ngritur. Çështja është nëse duhet që CPT-ja të marrë vetë iniciativën për t’i përcjellë komunikimet individuale tek MKPT-të përkatëse (përjashtuar rastet kur kjo është në kundërshtim me vullnetin e personit në fjalë). Kjo çështje ka më shumë mundësi të marrë përgjigje rast pas rasti, mbi bazën e marrëdhënies inter alia që gradualisht zhvillohet ndërmjet CPT-së dhe çdo MKPT-je.

Anëtarësimi simultan i CPT-së dhe i MKPT-ve

Brenda CPT-së ka disa anëtarë që janë njëkohësisht anëtarë dhe drejtues të MKPT-së në vendin e tyre. Nga ana e saj, CPT-ja nuk e sheh këtë situatë si problematike apo si konflikt interesi, për sa kohë që MKPT-ja përkatëse është në përputhje me OPCAT-in dhe gëzon pavarësi funksionale. Ajo që duhet theksuar në këtë drejtim është fakti që anëtar i CPT-së nuk luan një rol aktiv mbi aktivitetet e Komitetit në vendin nga i cili është zgjedhur. Më konkretisht, asnjë anëtar CPT-së nuk merr pjesë në vizitën e zhvilluar nga Komiteti në vendin e tij, si dhe nuk ndërhyn në diskutimin e mëvonshëm të draft raportit pas vizitës.

Për më tepër, CPT-ja përfiton në mënyrë të konsiderueshme nga ekspertiza e anëtarëve me përvojë në MKPT për vlerësimin e situatës në vende të tjera evropiane. Prania e tyre pasuron diversitetin e pikëpamjeve brenda Komitetit dhe siguron një spektër më të gjerë profesionistësh me njohuri të drejtpërdrejta për monitorimin.

Pjesëmarrja në vizita të përbashkëta

Mundësia që anëtarët e MKPT-së t’i bashkohen delegacionit të CPT-së gjatë vizitës në vendin e tyre, apo edhe mundësia që anëtarët e CPT-së të ftohen për të marrë pjesë në vizitat që zhvillojnë MKPT-të përkatëse, përbën objekt debati e diskutimi. CPT-ja, në mbështetje të parimit të konfidencialitetit- parim ky që zbatohet për çdo aktivitet të Komitetit- nuk është në favor të skenarëve të tillë. Duke analizuar më në thellësi çështjen, Komisioni gjykon se përzierja e funksioneve të mekanizmave parandalues kombëtarë dhe ndërkombëtarë mund të sjellë dëm tek të dyja palët. Fuqia e sistemit të monitorimit trepalësh (MKPT, CPT, SPT) dhe ndihma e mbështetja që secila palë mund t’i ofrojë tjetrës, qëndron pikërisht në faktin se mekanizmat duhet të shihen si të veçantë, e se duhet të funksionojnë si të tillë. Motoja për t’u zbatuar është "Të bashkuar në qëllime, por të dallueshëm në role".