Login
Webmail

 

Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, në realizim të funksioneve të tij ligjore, bashkëpunon ngushtësisht me Organizata të Shoqërisë Civile aktive dhe të specializuara të fushës. Këto OJF kanë mbështetur rregullisht MKPT duke ofruar ekspertizë cilësore me mjekë, psikologë, ekspertë edukimi, etj., sipas standardeve të OPCAT, gjatë kryerjes së vizitave të rregullta në Institucionet e ekzekutimit të Vendimeve penale dhe në Njësitë Policore.

Vizitat mbikëqyrëse kanë për qëllim monitorimin e trajtimit të të dënuarve dhe paraburgosurve, masat mbrojtëse, kushtet materiale, regjimin dhe aktivitetet edukuese, dosjet psiko-sociale, takimet dhe telefonatat, programet dhe aktivitetet e ofruara, shërbimet mjekësore, stafin e institucionit dhe komunikimin mes tyre, higjienën, ushqimin etj. 

Pas vizitave monitoruese, ekspertët e OJF-ve përgatisin raporte dhe rekomandime mbi gjetjet të cilat i ndajnë me MKPT-në dhe Institucionet përkatëse, me qëllim përmirësimin e situatës, kushteve të jetesës dhe trajtimin dinjitoz të këtyre personave.

Si rezultat i këtyre bashkëpunimeve, veprimtaria e MKPT ka pasur rritje cilësore në parandalimin e shkeljeve, promovimin e praktikave të mira dhe forcimin e dialogut me autoritetet shtetërore.Detaje mbi vizitat monitoruese të kryera në bashkëpunime me OJF-të gjenden në zërin Vizita 

Bashkëpunime të tjera

Në datë 24 prill 2014, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në bashkëpunim me MKPT-në, realizoi trajnimin e vëzhguesve të cilët do të angazhoheshin për të realizuar monitorimet në komisariatet e policisë, vendet e paraburgimit dhe burgjet në territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjatë trajnimit të zhvilluar pranë ambienteve tё Hotel “Mondial” Tiranë, vëzhguesit e KShH-së u pajisën me njohuri të përditësuara mbi: problematikën në këtë fushë, nxjerrë nga raportet e KShH-së, si dhe të aktorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë që veprojnë aty; legjislacionin shqiptar lidhur me të drejtat e personave të privuar nga liria në ambientet policore, parë nën dritën e standardeve ndërkombëtare dhe kombëtare të të drejtave të njeriut; legjislacionin lidhur me të drejtat e personave të privuar nga liria në institucionet penitenciare, parë nën dritën e standardeve ndërkombëtare dhe kombëtare të të drejtave të njeriut; parimet e metodologjisë së vëzhgimit dhe të raportimit; elementët që duhen mbajtur parasysh përpara, gjatë dhe pas realizimit të monitorimit etj. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projekteve “Për më shumë fuqizim të mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Shqipëri”, i cili mbështetet financiarisht nga Civil Rights Defenders dhe nga projektit "Së bashku kundër torturës në polici dhe burgje në Shqipëri" i cili financohet nga Komisioni Evropian në Tiranë

Në datë 29 Maj 2014, u mbajt një takim me qëllim bashkërendimin e aktiviteteve mbështetëse që do të zbatohen nga Shoqata Përthyerje dhe Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë në bashkëpunim me Avokatin e Popullit në kuadër të projektit “Përmirësimi i të Drejtave të Njeriut në burgjet dhe institucionet e paraburgimit në Shqipëri” financuar nga Ambasada Daneze në Shqipëri. Në këtë takim të zhvilluar në sallën e Konferencave pranë Institucionit të Avokatit të Popullit, morën pjesë përfaqësues të Avokatit të Popullit në rolin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT), përfaqësues nga Shoqata Përthyerje si dhe Menaxheri i Grantit, përfaqësues i Ambasadës Daneze.                                                                        

Në datë 02 Qershor 2014 MKPT, në sallën e Konferencave pranë Institucionit të Avokatit të Popullit, Shoqata Përthyerje në bashkëpunim me MKPT organizoi një Seminar me Stafin e Avokatit të Popullit për Çështjet e Shëndetit Mendor në Burgje dhe Paraburgime. Seminari kishte për qëllim identifikimin e çështjeve të menaxhimit të IEVP-ve në lidhje me veprime që kanë si objekt të dënuarit dhe të paraburgosurit me probleme të Shëndetit Mendor, eksplorimin e lidhjes së këtyre aspekteve me të Drejtat e Njeriut dhe me nevojën për marrjen e masave që synojnë mbrojtjen e Shëndetit Mendor gjatë burgimit, si dhe prezantimin e praktikave më të mira në fushë.

Nё datat 4 – 6 Qershor dhe 12-13 Qershor 2014, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në bashkëpunim me MKPT-në, si dhe me përfaqësues tё Policisë së Shtetit realizuan, trajnimin me tematikë parandalimin e torturës dhe keqtrajtimit në komisariatet e policisë. Pjesëmarrës në këto trajnime ishin rreth 172 punonjës të niveleve të mesëm dhe bazë nga të gjitha rrethet e vendit. Qëllimi i trajnimit të zhvilluar pranë ambienteve tё Hotel “Mondial” Tiranë, ishte ndërgjegjësimi i punonjësve të policisë për respektimin sa më korrekt të të drejtave të personave të shoqëruar, arrestuar dhe ndaluar, si dhe rritja e profesionalizmi i tyre për të luftuar në mënyrë efektive format e torturës dhe keqtrajtimeve ndaj këtyre personave. Objektivat e këtyre trajnimeve ishin njohja e punonjësve tё policisë me konceptet teorike dhe shembuj të praktikës gjyqësore të lidhura me torturën dhe keqtrajtimin e ushtruar nga punonjësit e policisë kundrejt personave të shoqëruar, arrestuar/ndaluar, si edhe sjellja nё vëmendje e shembujve konkretë të konstatuara nga misionet e monitorimit nga institucionet/organizatat e pavarura monitoruese nё kёtё fushë. MKPT bëri një prezantim mbi punën e Avokatit të Popullit në rolin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës si dhe mbi institutin e shoqërimit dhe ndalim/arrestimit sipas legjislacionit në fuqi. Një kontribut të veçantë nё kёtё trajnim dha edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë sё Shtetit. Këto aktivitete u zhvilluan në kuadër të projektit "Së bashku kundër torturës në polici dhe burgje në Shqipëri" i cili financohet nga Komisioni Evropian në Tiranë.

Në datë 09 Qershor 2014 në sallën e Konferencave pranë Institucionit të Avokatit të Popullit MKPT, Shoqata Përthyerje, Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë dhe MKPT, si dhe Menaxheri i Grantit zhvilluan një takim të përbashkët me qëllim diskutimin dhe ndarjen e planit të Inspektimeve dhe Vizitave Monitoruese të përbashkëta në Institucionet e Paraburgimeve, Burgjeve dhe Komisariateve të Policisë përgjatë periudhës kohore Qershor 2014-Dhjetor 2014.

Në datën 24 Tetor 2014, Shoqata Përthyerje në bashkëpunim të ngushtë me Avokatin e Popullit përmes MKPT-së dhe Sektorin e Trajnimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, organizoi në ambientet e Sektorit të Trajnimeve, Trajnimin e Drejtuesve të IEVP-ve mbi “Të Drejtat e Njeriut në Burgje dhe Paraburgime në Shqipëri”. Qëllimi i trajnimit ishte dhënia e informacionit rreth rolit të Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, identifikimi i çështjeve dhe sfidave aktuale në lidhje me të drejtat e njeriut në burgje si dhe rritja e njohurive në lidhje me Të Drejtat e Njeriut në burgje, Standardet Kombëtare dhe Ndërkombëtare. MKPT bëri një prezantim mbi punën e Avokatit të Popullit në rolin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës si dhe gjetjet kryesore e rekomandimet e bëra për vitin 2013 e ato të vitit 2014. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Përmirësimi i të Drejtave të Njeriut në Burgjet dhe Qendrat e Paraburgimit në Shqipëri”.

Në datat 20-21 Nëntor 2014 Shoqata Përthyerje në  bashkëpunim të  ngushtë  me Avokatin e Popullit përmes MKPT-së dhe Sektorin e Trajnimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve organizoi Trajnimin e Parë Rajonal 2 ditor në Tiranë për 30 përfaqësues staf të IEVP-ve Joardan Misja, Ali Demi, Mine Peza dhe Vaqarri me synim rritjen e njohurive në fushën e  “Të Drejtat e Njeriut në Burgje dhe Paraburgime në Shqipëri”. Qëllimi i trajnimit ishte informacion rreth rëndësisë së Avokatit të Popullit në rolin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, identifikimi i çështjeve dhe sfidave aktuale në lidhje me të drejtat e njeriut në burgje si dhe rritja e njohurive në lidhje me Të Drejtat e Njeriut në burgje, Standardet Kombëtare dhe Ndërkombëtare. Ky aktivitet u mbajt në ambientet e Sektorit të Trajnimeve dhe u zhvillua në kuadër të projektit “Përmirësimi i të Drejtave të Njeriut në Burgjet dhe Qendrat e Paraburgimit në Shqipëri”. Ky aktivitet u financua nga Ambasada Daneze në Shqipëri.

Në datën 26 nëntor 2014, në Tiranë pranë Shkollës së Magjistraturës Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës mori pjesë në trajnimin “Tortura, trajtimi çnjerëzor e degradues  dhe praktikat më të mira, vendase e ndërkombëtare  për procedimin dhe gjykimin e çështjeve me këtë objekt” të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës. Në trajnim merrnin pjesë gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë penalistë dhe kishte karakter teoriko-praktik me njohuri mbi  legjislacionin dhe praktikën gjyqësore vendase dhe ndërkombëtare. MKPT bëri një prezantim mbi punën e Avokatit të Popullit në rolin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, si dhe të rasteve të torturës dhe/ose dhunës të identifikuara nga inspektimet e kryera gjatë vitit 2013 dhe 2014 në institucionet e privimit të ligjshëm të lirisë. Trajnimi u zhvillua në kuadër të zbatimit të projektit “Së bashku kundër torturës, trajtimit çnjerëzor e degradues”, financuar nga BE. Fjala e Plotë

Në datën 18-19 Dhjetor 2014 Shoqata Përthyerje në bashkëpunim të  ngushtë  me Institucionin e Avokatit të Popullit dhe Sektorin e Trajnimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, organizoi Trajnimin e II rajonal dy ditor në IEVP Elbasan me 30 përfaqësues të stafeve të IEVP-ve Elbasan, Drenovë, dhe Peqin. Ky trajnim kishte për qëllim rritjen e njohurive në fushën e Të Drejtave të Njeriut në Burgje dhe Paraburgime në Shqipëri”. Në trajnim u ofrua informacion rreth rëndësisë së Avokatit të Popullit në rolin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, si dhe u identifikuan çështje dhe sfida aktuale në lidhje me të drejtat e njeriut në burgje, me synim përmirësimin e njohurive në lidhje me Të Drejtat e Njeriut në burgje e Standardet Kombëtare dhe Ndërkombëtare. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e I.E.V.P Elbasan, në kuadër të projektit “Përmirësimi i të Drejtave të Njeriut në Burgjet dhe Qendrat e Paraburgimit në Shqipëri”. Projekti financohet nga Ambasada Daneze në Shqipëri.

Në datën 19 Dhjetor 2014,Komiteti I Helsinkit(KShH) në bashkëpunim me MKPT-në

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në bashkëpunim më Mekanizmin për Parandalimin e Torturës (MPT) organizuan një mision vlerësimi në Institucionin e Paraburgimit të Vlorës, specifikisht në sektorin e të miturve.  Objektivi i misionit të vlerësimit ishte vlerësimi i qasjes së re të të punuarit me të miturit e paraburgosur, ndryshimet konkrete të mundshme të metodologjisë së punës së stafit që punon me të miturit, si dhe ndryshimet e mundshme të sjelljes së të miturve. Grupi i vlerësimit u takua me drejtorin dhe personelin tjetër drejtues të institucionit të Vlorës, me të miturit e paraburgosur, si dhe gjithashtu ka shqyrtuar dokumentacionin përkatës. Ky mision vlerësimi u realizua në kuadër të projektit “Improvement of Prison Condition for reintegration of Juvenile Detainees in Albania, Macedonia and Kosovo” i cili zbatohet nga Komiteti Holandez i Helsinkit.

Në datën 22-23 Dhjetor 2014 Shoqata Përthyerje në bashkëpunim të  ngushtë  me Institucionin e Avokatit të Popullit dhe Sektorin e Trajnimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, organizoi Trajnimin e III rajonal dy ditor në IEVP Fushë Krujë me 30 përfaqësues të stafeve të IEVP-ve Fushë Krujë, Shën Koll, Lezhë dhe Krujë. Ky trajnim kishte për qëllim rritjen e njohurive në fushën e Të Drejtave të Njeriut në Burgje dhe Paraburgime në Shqipëri”. Në trajnim u ofrua informacion rreth rëndësisë së Avokatit të Popullit në rolin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, si dhe u identifikuan çështje dhe sfida aktuale në lidhje me të drejtat e njeriut në burgje, me synim përmirësimin e njohurive në lidhje me Të Drejtat e Njeriut në burgje e Standardet Kombëtare dhe Ndërkombëtare. Ky aktivitet u zhvillua në ambientet e I.E.V.P Fushë-Krujë, në kuadër të projektit “Përmirësimi i të Drejtave të Njeriut në Burgjet dhe Qendrat e Paraburgimit në Shqipëri”. Projekti financohet nga Ambasada Daneze në Shqipëri.