8 Mars 2024

Shqipëria Ndërmerr Nismën 'Observatori I Femicidit'


Shqipëria ndërmerr nismën 'Observatori i Femicidit'

Në Ditën Ndërkombëtare të Grave, Institucioni i Avokatit të Popullit, në bashkëpunim me UN Women, prezantoi nismën 'Observatori i Femicidit'.
 

E para në llojin e saj, kjo nismë do të mbledhë dhe analizojë të dhëna, me qëllim përmirësimin e politikave dhe mekanizmave për parandalimin e vrasjes të grave dhe vajzave.

 

Duke synuar një diskutim gjithëpërfshirës mbi çështjet e femicidit në Shqipëri dhe nevojën e përmirësimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të parandalimit dhe marrjes së masave efektive, pjesëmarrës në këtë tryezë ishin personalitete të larta në nivel qendror dhe vendor, autoritete të larta të sistemit gjyqësor, organizata të shoqërisë civile dhe organizata ndërkombëtare që kanë në fokus çështjet e barazisë gjinore dhe luftës kundër dhunës ndaj grave.

 

Ndër të tjera në fjalën e saj në hapjen e këtij takimi, Avokatja e Popullit deklaroi se:-“Unë besoj se ne duhet të ndërmarrim së bashku një iniciativë, së pari për të garantuar përkufizimin e “femicidit” si një vepër penale, identifikimin e përkufizimit të qartë dhe përfshirjen e tij në Kodin e ri Penal dhe unë për këtë kam garancinë e grupit të punës së Kodit Penal që një gjë e tillë do të realizohet. Nga ana tjetër, ne duhet të jemi të qartë se vetëm duke mbledhur të dhëna të sakta dhe të krahasueshme për një krim të caktuar, do të jemi në gjendje të kuptojmë plotësisht shkaqet dhe arsyet pse ka ndodhur, si ka ndodhur dhe çfarë mund të bëjmë më mirë. Dhe pikërisht Obesvatori që ne me ndihmën e partnerit tonë shumë të rëndësishëm UN WOMEN po e vëmë ne jetë dhe në zbatim. Ka qenë një ide e cila prej një viti është diskutuar me ta, sepse krijimi i observatorëve të femicidit nëpër vende të tjera të të gjithë arenës së Kombeve të Bashkuara por edhe në disa vende të Këshillit të Evropës ka qënë një shtysë përpara për identikfimimin e problematikave por edhe për adresimin e këtyre problematikave.”

 

“Heshtja ndaj dhunës nuk është zgjidhje!”, ishte mesazhi me të cilin Avokatja e Popullit përmbylli takimin e sotëm.

 

Avokati i Popullit shpreh një mirënjohje të veçantë për vullnetin e qartë të shprehur nga autoritet publike për ngritjen e këtij partneriteti të ri institucional.