8 Maj 2024

Gjenevë, Mbahet Konferenca Vjetore E Aleancës Globale Të Institucioneve Të Të Drejtave Të Njeriut


Gjenevë, mbahet Konferenca Vjetore e Aleancës Globale të Institucioneve të të Drejtave të Njeriut

Në një kohë kur skena globale është dominuar nga sfida të shumta për të drejtat e njeriut dhe paqen, Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (NHRI) u mblodhën në një platformë të përbashkët në Gjenevë, në Konferencën Vjetore të Aleancës Globale të Institucioneve të të Drejtave të Njeriut (GANHRI).

 

 

Mbi 200 përfaqësues nga institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut, agjencitë e OKB-së dhe shoqëria civile po marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme.

 

 

Përpara nisjes së punimeve të Konferencës Vjetore sikurse ishte parashikuar, u organizuan takime rajonale të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (NHRI), ku pjesëmarrësit diskutuan për sfidat dhe mundësitë specifike të rajonit të tyre.

 

 

Në këtë kontekst, Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, mori pjesë dhe dha kontributin e saj në Asamblenë e Përgjithshme të Rrjetit Evropian të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut, ku u trajtuan çështje të rëndësishme për rajonin e Evropës në lidhje me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

 

 

Agjenda treditore e punimeve të kësaj konference, ka një sërë aktivitetesh ku do të trajtohen çështje të ndryshme duke evidentuar ndikimin e tyre në të drejtat e njeriut.