23 Shkurt 2024

Avokatja E Popullit, Në Konferencën "Forcimi I Zbatimit Të Kartës Evropiane Të Të Drejtave Themelore : Ikdnj Të Forta Dhe Efektive Në Be"


Avokatja e Popullit, në konferencën "Forcimi i zbatimit të Kartës Evropiane të të Drejtave Themelore : IKDNJ të forta dhe efektive në BE"

Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca iu përgjigj pozitivisht ftesës së Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA), për të referuar në konferencën me temë "Forcimi i zbatimit të Kartës Evropiane të të Drejtave Themelore : IKDNJ të forta dhe efektive në BE".

 

Konferenca u fokusua në forcimin e rolit të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (IKDNJ) në sigurimin e zbatimit efektiv të Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së, me synim rritjen e kapaciteteve të IKDNJ-ve, duke vlerësuar rolin e tyre jetik në mbrojtjen e standardeve të të drejtave të njeriut.

 

Në fjalën e saj, adresuar në panelin me temë "Strukturat e të Drejtave të Njeriut: IKDNJ të forta kudo në Evropë", znj. Ballanca ndau me pjesëmarrësit kontributin e gjatë në krye të Institucionit të Avokatit të Popullit, në garantimin, mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave, duke theksuar rëndësinë e Kartës Evropiane të të Drejtave Themelore në këtë drejtim.

 

“Karta Evropiane e të Drejtave Themelore, është dokumenti që përmban katalogun më të plotë të të drejtave të njeriut, një instrument dinamik dhe aktual për mbrojtjen e tyre. Në kontekstin e perspektivës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, integrimi i kësaj Karte në legjislacionin e brendshëm do të ishte shprehje e angazhimit për respektimin dhe promovimin e vlerave evropiane të të drejtave të njeriut.", u shpreh, znj. Ballanca

 

Konferenca mblodhi drejtues të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut, organizata të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, përfaqësues nga institucionet e BE-së, si dhe organizata ndërkombëtare.