Login
Webmail

Arkiva

Institucioni i Avokatit të Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të tretëve që veprojnë për llogari të saj. Ai ka si mision të tij parandalimin e konflikteve të mundshme midis administratës publike dhe individit. Avokati i Popullit vepron në bazë të ankesës apo kërkesës së paraqitur pranë tij. Ai vepron edhe me nismën e vet, për raste të veçanta, të bëra publike, por gjithmonë duhet të marrë më vonë pëlqimin e të interesuarit ose të dëmtuarit.

Në rastet kur Avokati i Popullit fillon proçedurën e shqyrtimit të çështjes me nismën e vet dhe kur kujdestari ose përfaqësuesi i tij ligjor nuk vepron, nuk kërkohet pëlqimi i të dëmtuarit kur është i mitur apo i paaftë mendërisht apo me aftësi të kufizuara ose për mbrojtjen e të drejtave të një numri të madh të individëve.

Në mbrojtje të interesave të një komuniteti të gjërë, të cilët mund të preken nga proçedimi administrativ, Avokati i Popullit ka të drejtë të fillojë një procedim administrativ dhe të marrë pjesë në të, në përputhje me kërkesat e Kodit të Procedurës Administrative.

Avokati i Popullit nuk vendos direkt vetë për t’ju dhënë të drejtat personit që ankohet, por bën rekomandime për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi i administratës publike që sipas tij ka shkaktuar shkeljen e saj. Në rastet kur organi përkatës nuk reagon ndaj rekomandimeve të Avokatit të Popullit, ky i fundit mund t’i drejtohet shkallë-shkallë organeve më të larta në hierarki, deri edhe Kuvendit (Parlamentit) me një raport, duke propozuar edhe masa konkrete për vënien në vend të së drejtës së shkelur.

Janë jashtë juridiksionit të Avokati i Popullit personat dhe aktet e mëposhtme:

Presidenti i Republikës

Kryetari i Këshillit të Ministrave

Urdhërat me karakter ushtarak të Forcave të Armatosura

Konfliktet civile ku nuk janë palë organet e administratës publike (marrëdhëniet civile ndërmjet personave privatë ose tregtarë).

Avokati i Popullit mund të mos fillojë ose ndërpret hetimin në qoftë se e njëjta çështje është vendosur ose është në shqyrtim nga prokuroria apo gjykata. Në këto raste Avokati i Popullit ka të drejtë të kërkojë informacion pranë këtyre organeve. Ai ka të drejtë të kërkojë informacione apo dokumenta që lidhen me çështjen në shqyrtim, edhe kur ato janë të klasifikuara si sekret shtetëror.

 

Nga një vështrim retrospektiv i të gjithë veprimtarisë për ngritjen dhe zhvillimin e Institucionit të Avokatit të Popullit, rezulton se progresi i tij i shpejtë dhe suksesi në rritjen e besimit të publikut kanë bërë përshtypje pozitive, si tek faktori i brendshëm, ashtu edhe ai ndërkombëtar.

Traumat sociale që ndodhën në Shqipëri, gjatë 10 viteve të parë të tranzicionit, (1991-2000) si pasojë e ndryshimit te sistemit politik, duhet thënë, nuk mundën të menaxhoheshin me përgjegjshmëri nga institucionet tradicionale të shtetit. Policia, ushtria, gjykatat dhe struktura të tjera që përcaktojnë ekzistencën e shtetit, në vitin 1997, për një kohë të shkurtër, në një pjesë jo të vogël të territorit të shtetit ranë në kolaps të plotë. Që nga ky moment u dëshmua se edhe komuniteti nderkombetar, i pranishëm dhe me ndikim të madh në Shqipëri, që në fillimet e proceseve demokratike, pas vitit 1997 zbatoi një strategji tjetër, atë të programeve të zhvillimit për ngritjen dhe forcimin e institucioneve të reja demokratike të shtetit shqiptar.

Kushtetuta e re shqiptare që u aprovua me referendum në vitin 1998 është një kontribut sa i ekspertëve vendas, aq edhe atyre ndërkombëtarë. Në këtë Kushtetutë të re u parashikua krijimi i institucionit të ri të Avokatit te Popullit. Në shkurt të vitit 1999 Parlamenti shqiptar miratoi edhe ligjin përkatës me 40 nene “Për Avokatin e Popullit”, i cili është një kombinim midis ligjit Danez dhe atij Suedez.

Avokati i Popullit në Shqipëri.

Procesi i parë i zgjedhjes së Avokatit të Popullit u zhvillua nga Parlamenti shqiptar më 16 shkurt 2000. Kushtetuta kërkon që Avokati i Popullit të zgjidhet me jo më pak se 3/5 të të gjithë deputetëve. Kuvendi i Shqipërisë, këtë detyrë ia besoi për herë të parë z. Ermir Dobjani, i cili u rizgjodh në shkurt 2005 edhe për një mandat të dytë, deri në 16 shkurt të vitit 2010.

10 Vjet Avokati i Popullit në Shqipëri

Nga data 16 Shkurt 2010 deri me 4 Nentor 2010, funksionin e Avokatit të Popullit në Detyre e kreu z. Riza Poda, ndërsa nga kjo datë e deri ne daten 22 Dhjetor 2011, këtë detyrë e kreu zj. Florina Nuni.

Krahas Avokatit të Popullit, me propozim të ketij të fundit, Parlamenti shqiptar, ka zgjedhur apo rizgjedhur perkatesisht mandateve, edhe komisioneret e Avokatit të Popullit, dhe konkretisht: z. Agron Çaushi (2000-2003); z. Jorgo Dhrami (2000-2003 dhe 2004-2007); zj. Florina Nuni(2000-2003, 2007-2010 dhe 2010-2013); z. Riza Poda (2004-2007 dhe 2007-2010); z. Skender Haluca (2007-2010); zj. Anila Nepravishta(2010-2013); z. Arben Shkëmbi (2010-2013) .

Në datën 22 Dhjetor 2011, Kuvendi i Shqipërisë, me 127 vota Pro të deputetëve të pranishëm, zgjodhi z. Igli Totozani në detyrën e Avokatit të Popullit.