Login
Webmail

Aktivitete

Në datë 7 Prill 2014, MKPT mori pjesë në takimin e Grupit të Punës mbi Reformën në Burgje të drejtuar nga Z. Artur Zoto, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve dhe Znj. Silda Anagnosti, Prania e OSBE-së në Shqipëri. Takimi u zhvillua në ambientet e ICITAP në Tiranë. Gjatë takimit u pasqyruan aktivitetet e përditësuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, dhe nga pjesëmarrësit u diskutuan çështje specifike mbi kujdesin ndaj personave me probleme të shëndetit mendor në sistemin e burgjeve.

Në datat 9-10 Prill 2014, MKPT mori pjesë në një takim të organizuar nga APT dhe OSBE Zvicerane, si pjesë e një përfaqësie të përzgjedhur me MKPT të rajonit, me qëllimin për të diskutuar dhe parapërgatitur disa rekomandime dhe sugjerime teknike mbi nevojat dhe fushat ku MKPT-të mund të përfitojnë prej një përfshirjeje e ndihme më të thelluar nga ana e OSBE/ODIHR. Takimi u zhvillua në Hofburg Palace në Vjenë, Austri. Gjatë aktivitetit doli në pah rëndësia e modeleve të ndryshme të MKPT-ve, baza ligjore, si dhe transparenca e bashkëpunimi me CPT-në në shkëmbimin e vazhdueshëm të eksperiencave në parandalimin e torturës, trajtimit çnjerëzor e degradues në institucionet ku kufizohen të drejtat dhe liritë e njeriut. Në këtë seancë diskutimesh, nga ana e MKPT-ve, në bashkëpunim me ekspertë të APT-së, SPT-së dhe CPT-së u miratuan 19 Rekomandime, të cilat iu paraqitën asamblesë dhe ambasadorëve të shteteve përkatëse të OSBE-së. Nga këto 19 Rekomandime, 5 Rekomandime të pranuara ishin iniciativë e MKPT-së së Shqipërisë. Rekomandimet iu paraqitën edhe nivelit të lartë të Këshillit të Ministrave të OSBE-së, i cili u mblodh në Bazel të Zvicrës në datat 2-3 Dhjetor.

 

Në datat 10-11 Prill 2014, MKPT mori pjesë në Takimin Suplementar për Dimensionin e Të Drejtave të Njeriut, të zhvilluar nga OSBE/ODIHR me pjesëmarrjen e përfaqësive të shteteve anëtare të OSBE/ODIHR, MPT-ve dhe OJF-ve përkatëse. Takimi i zhvilluar në Vjenë, Austri, u fokusua mbi nivelin e ratifikimit dhe e zbatimit të OPCAT-it në shtetet pjesëmarrëse. Një pjesë e rëndësishme e këtij takimi ishte dhe roli i OJF-ve dhe bashkëpunimi në nivel kombëtar për parandalimin e torturës.

Në datën 22 Prill 2014, MKPT zhvilloi një takim me pjesëmarrje të gjerë të OJF-ve dhe palëve të interesuara, ku u pasqyrua Raporti Vjetor 2013 mbi Aktivitetin e Institucionit të Avokatit të Popullit në rolin e Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Torturës. Takimi u zhvillua në sallën e konferencave pranë Institucionit të Avokatit të Popullit. Në takim u diskutuan gjetjet gjatë inspektimeve, rekomandimet e hartuara, rastet e dhunës dhe trajtimi i tyre, si dhe bashkëpunimi me OJF-të në realizimin e qëllimeve të përbashkëta.

Në datë 8 Maj 2014, MKPT mori pjesë në takimin e grupit të punës mbi reformën në burgje të drejtuar nga Z. Artur Zoto, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve dhe Znj. Silda Anagnosti, Prania e OSBE-së në Shqipëri. Gjatë takimit të zhvilluar në ambientet e ICITAP në Tiranë, u bënë komente dhe rekomandime mbi Strategjinë Afatmesme të Burgjeve (2014-2017), si dhe u diskutua Plani i Veprimit.

Në datë 17 Tetor 2014, MKPT në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve organizoi një ceremoni simbolike në IEVP “Mine Peza” me qëllim fillimin e procesit të instalimit të kutive postare për ankesat e të burgosurve në të gjitha IEVP-të e vendit. Në aktivitet merrnin pjesë Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, Drejtoresha e Mekanizmit për Parandalimin e Torturës, znj. Jorida Rustemi, Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Bledar Skënderi, Drejtori i IEVP “Mine Peza”, si dhe përfaqësues të tjerë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Ky bashkëpunim vjen në kuadër të përmbushjes së kompetencave kushtetuese dhe ligjore që lidhen me veprimtarinë e të dy institucioneve, respektivisht Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Instalimi i njërës prej kutive postare për depozitimin e ankesave të të burgosurve u krye në ambientin e ajrimit të IEVP “Mine Peza”, si një lehtësi për të burgosurit që mund ta përdorin në çdo kohë gjatë ajrimit apo aktiviteteve të tjera. Në të gjitha IEVP-të, këto kuti do të jenë të pozicionuara në regjimin e brendshëm, si një mjet më shumë në rritjen e transparencës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ndaj të drejtave të të burgosurve për të dërguar kërkesa apo ankesa të natyrave të ndryshme në adresë të Avokatit të Popullit të Shqipërisë apo çdo institucioni dhe organizate tjetër që punon në fushën e të drejtave të njeriut.

 

Në datat 20 dhe 21 Tetor 2014, në Shkup të Maqedonisë, u organizua takimi i radhës i punës së grupeve mjekësore brenda Rrjetit të Mekanizmave të Parandalimit të Torturës me fokus zbatimin e Konventës Evropiane për Parandalimin e Torturës në institucionet psikiatrike. Në këtë takim pune, MKPT-ja e Shqipërisë raportoi mbi gjetjet e deritanishme të inspektimeve në institucionet psikiatrike, si dhe në strukturat që ofrojnë këto shërbime në IEVP-të shqiptare. Në këtë takim, MKPT-ja Shqiptare mori zyrtarisht për një periudhë një vjeçare Presidencën e Rrjetit të MKP-ve të Evropës Jug-lindore.

 

Në datën 22 Tetor 2014, MKPT mbajti një konferencë për shtyp në prani të medieve me objekt marrjen zyrtarisht për një periudhë një vjeçare të Presidencës së Rrjetit të MKPT-ve të Evropës Jug-lindore. Ky rrjet është jetësuar në vitin 2013, bazuar në Deklaratën e Bashkëpunimit të nënshkruar nga Institucionet e Ombudsmanëve të Shqipërisë, Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Sllovenisë, Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Hungarisë, Greqisë dhe Rumanisë, me qëllim rritjen e bashkëpunimit, shkëmbimit të eksperiencave dhe organizimit të aktiviteteve të tjera të përbashkëta për një përmbushje sa më të qenësishme të mandatit të MKPT-ve në rajon, siç edhe specifikohen në “Protokollin Opsional të Konventës kundër Torturës dhe Trajtimit apo Dënimit të Egër, Çnjerëzor dhe Degradues (OPCAT).

Në datën 17-19 nëntor 2014, në Shkup të Maqedonisë, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës mori pjesë në trajnimin “Përmirësimi i kushteve dhe trajtimit të të miturve me qëllim riintegrimin, në institucionet penitenciare për të miturit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni” të organizuar nga Komiteti Holandez i Helsinkit në bashkëpunim me NPM Holandez dhe Komitetin Shqiptarë të Helsinkit në kuadër të Matra Co PROL projekt (DEU 25471). Në trajnim merrnin pjesë dhe ekspertë të institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës, Qendrës për Rehabilitimin e Personave nga Trauma dhe Tortura e Kosovës, si dhe Komitetit të Helsinkit Shqiptar të Kosovës, Maqedonisë dhe Holandës. MKPT bëri prezantime mbi punën e Avokatit të Popullit në rolin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës dhe mori pjesë aktive në diskutimet e grupeve të punës lidhur me tematikat e trajnimit.

 

 

 

 

Në datat 27 dhe 28 Nëntor 2014, në Pallatin e Serbisë në Beograd, Ombudsmani I Republikës së Serbisë, në rolin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Serbi, organizoi eventin dy ditor “Forumi I parë I OPCAT për Evropën Juglindore” I cili u pasua nga “ Konferenca për parandalimin e torturës dhe të formave të tjera të keqtrajtimit e ndëshkimit”. Në këto evente morën pjesë Kryetari i Nënkomittetit të Parandalimit të Torturës (SPT), Zv.Presidenti I Komitetit për Parandalimin e Torturës, Kryetari I Divizionit për Migracionin dhe Të Drejtat e Njeriut I Këshillit të Evropës, drejtues dhe përfaqësues të Mekanizmave të Rrjetit Juglindor, NGO etj. Qëllimi I takimeve ishte vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta midis aktorëve të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut dhe MKPT-ve të rajonit, si dhe vlerësimi i nevojave dhe mjeteve të nevojshme në luftën për mbrojtjen e të drejtave të personave të privuar nga liria në përmbushje të “Protokollit Opsional të Konventës kundër Torturës dhe Trajtimit apo Dënimit të Egër, Çnjerëzor dhe Degradues (OPCAT). MKPT-ja shqiptare u përfaqësua me dy pjesëmarrës. Gjatë Forumit të OPCAT-it, Drejtuesja e Mekanizmit Shqiptar për Parandalimin e Torturës, mbajti një fjalim përshëndetës në rolin e Kryetares së Rrjetit të Mekanizmave të Evropës Jug-Lindore. Fjalimi i Plotë

Në datën 27 nëntor 2014, në IEVP Kavajë, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës mori pjesë në aktivitetin “Tryezë mbi transparencën dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile” organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me mbështetjen e UNICEF. Aktiviteti kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe transparencës me shoqërinë civile, si edhe prezantimin e dokumentit të prioriteteve të përbashkëta për vitin 2015. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të UNICEF, Delegacionit të Komisionit të BE-së në Shqipëri, Zv/Ambasadori i Britanisë së Madhe, Kryetarja e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, etj., të cilët mbajtën edhe fjalën përshëndetëse të rastit. Përfaqësuesja e MKPT-së mbajti një fjalë lidhur me rolin e Institucionit të Avokatit të Popullit në rritjen e transparencës, si edhe gjetjet e deritanishme lidhur me situatën në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Fjala e Plotë

Në datën 5 Dhjetor 2014 Avokati i Popullit mori pjesë në konferencën Ndërkombëtare “Shëndeti mendor në sistemin penitenciar në Shqipëri dhe praktikat më të mira në Europë, si një reflektim i detyrimeve pozitive të shtetit në kuadër të të drejtave të njeriut”. Në këtë konferencë drejtuesja e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, znj. Jorida Rustemi mbajti një fjalim përshëndetës, përmes të cilit solli informacion rreth situatës aktuale të shëndetit mendor në paraburgime e burgje, si dhe përgëzoi nismën e projektit i cili ka për qëllim të avancojë trajtimin e shëndetit mendor dhe respektimin e të drejtave të njeriut për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor brenda sistemit penitenciar në Shqipëri. Projekt i cili po zbatohet nga Shoqata Përthyerje në bashkëpunim me Shoqatën e Psikologëve Shqiptar dhe Institutin Evropian të Tiranës financohet nga Komisioni Evropian.

 

 

Në datën 09 Janar 2015, në kuadër të vizitës në Shqipëri të Raporterit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, z Knut Fleckenstein, në emër të Ambasadores së BE-së në Tiranë, znj Romana Vlahutin, MKPT u ftua të merrte pjesë në një takim të përbashkët në Delegacionin e BE-së, ku parashtroi situatën e të drejtave të njeriut në institucionet penitenciare dhe në njësitë policore në vend.

Në datën 10 Janar 2015, MKPT zhvilloi në sallën e konferencave pranë Institucionit të Avokatit të Popullit, një takim të përbashkët me përfaqësues të Delegacionit Evropian, Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe ekspertë të Përfaqësive Diplomatike në Shqipëri, mbi gjendjen e mbipopullimit në institucionet penitenciare dhe në njësitë policore në vend, si dhe mbi veprimet e ndërmarra nga Institucioni i Avokatit të Popullit për të adresuar situatën e krijuar. Rekomandimet e hartuara dhe të pasqyruara në këtë aktivitet, paraqiten në vijim:

Mbipopullimi në Institucionet Penitenciare

Mbipopullimi në Njësitë Policore.