Login
Webmail

Avokati i Popullit

Z. Igli Totozani zgjidhet në detyrën e Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë në muajin Dhjetor 2011, nga një votim me shumicë të cilësuar, në Parlament.

I lindur në 18 shkurt të vitit 1973 në Tiranë, z. Totozani përfundoi me rezutate të shkëlqyera studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në vitin 1995. Më pas, ndoqi studimet pasuniversitare në Universitetin e Gjenevës, Zvicër, ku dhe u diplomua për master në Studime Europiane (2000) dhe për master në Shkenca Politike (2003), si dhe u vlerësua me çmimin “Jean-Louis de Claparède” nga Rektorati i këtij Universiteti.

Në Nëntor 2014  z. Totozani merr titullin “Doktor në të Drejtën Publike” në Universitetin e Strasbourg, Francë. 

Për shkak të veprimtarisë së tij në fushën e të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit, z. Igli Totozani nderohet me titullin “Personalitet i të Ardhmes”, nga Ministria e Jashtme Franceze.

Për një kohë të gjatë ka punuar në detyra të rëndësishme shtetërore si Këshilltar i Kryeministrit për Arsimin dhe Integrimin Evropian, Drejtor Kabineti dhe Këshilltar në ministri të ndryshme.

Ka një aktivitet të shquar si autor, publicist, analist, pjesëmarrës dhe lektor në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Prej shumë vitesh kontribuon si lektor i të Drejtës Publike në universitete të ndryshme të vendit. Është autor i një numri të konsiderueshëm artikujsh, publikimesh, raportesh dhe kërkimesh të botuara në revista dhe të përditshme shqiptare dhe të huaja. Gjithashtu, është autor i disa librave mbi të Drejtat e Njeriut, proceset e Integrimit Europian, Shtetin e së Drejtës dhe Demokracinë.

Në dy dekadat e fundit z. Totozani ka dhënë një kontribut të veçantë si aktivist i shoqërisë civile për të drejtat e njeriut, sidomos në fushën e sistemit penitenciar dhe të shëndetit mendor, mirëqeverisjes dhe demokratizimit të intitucioneve publike.

Tituj të akorduar dhe anëtarësia në bordet e organizatave ndërkombëtare   

Qershor 2012

Avokati i Popullit z.  Igli Totozani zgjidhet anëtar i Këshillit Administrativ i Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM).

Maj 2013

Z. Igli Totozani, zgjidhet ne Kombet e Bashkuara ne Gjeneve anëtar i dy bordeve: Bordit të Rrjetit Rajonal Europian dhe Bordit Drejtues të Komitetit Ndërkombëtar për Koordinimin e Institucioneve Kombëtare të Drejtave të Njeriut.

Maj 2013

I jepet çmimi “Aleati i Vitit LGBT 2012” nga Organizatat e shoqërisë civile “Aleanca Kunder Diskriminimit” dhe “Pro LGBT”.

Nëntor 2013

Avokati i Popullit të Shqipërisë, z. Igli Totozani zgjidhet Anëtar i Këshillit Administrativ të Shoqatës së Ombudsmanëve dhe Mediatorëve Frankofonë, (AOMF).

Prill 2014

I jepet titulli “Romanipe Honoris Causa”, nga Instituti i Kulturës Rome, duke e njohur si anëtar nderi i komunitetit rome dhe si “Amaro Avokat- I Ko Sudal” (Avokati Ynë në Botë)

Zotit Totozani i akordohet Vleresimi Kombetar “30 Personat e Vitit 2015 per te drejtat LGBT” me motivacionin: Per kontribut te jashtezakonshem ne mbeshtetjen publike te kauzes dhe komunitetit LGBT ne Shqiperi.  Ky vleresim publik jepet ne mirenjohje dhe falenderim te te gjithe atyre individeve dhe institucioneve qe gjate vitit 2015 kane dhene mbeshtetjen e tyre ne perparimin e te drejtave te njeriut te komunitetit dhe personave LGBT.

Prill 2014

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, zgjidhet Anëtar i Bordit Drejtues të Rajonit të Europës të Institutit Ndërkombëtar të Ombudsmanëve (IOI).

Qershor 2014

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, zgjidhet President i Organizatës Ndërkombëtare të Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM)

Tetor 2015

Rizgjidhet Anëtar i Bordit të Shoqatës së Ombudsmanëve dhe Ndërmjetësuesve Frankofonë (AOMF).

Nëntor 2015

Avokati i Popullit z. Igli Totozani rizgjidhet anëtar i Bordit Botëror të Institutit Ndërkombëtar të Ombudsmanëve (IOI).

Mars 2016

Rizgjidhet për një mandat tre-vjeçar President i Organizatës së Ombudsmanëve të Mesdheut, me vota unanime, gjatë punimeve të Konferencës së 9-të të (AOM)