Aktivitete të ndryshme

___________________________________________________________________________

 

Tiranë, më 25/03/2005

 

FJALA E AVOKATIT TE POPULLIT NE SEMINARIN E ORGANIZUAR NE HOTEL “TIRANA INTERNATIONAL” NGA INSTITUTI PER DEMOKRACI DHE NDERMJETESIM, ME TEME: “SINDIKATAT NE SHERBIMET POLICORE”.

 

 

 - E drejta sindikaliste eshte nje e drejte themelore edhe per policine -

 

 

            Te nderuar organizatore,

Te nderuar pjesemarres,

  

          Tema qe po diskutojme ne kete seminar eshte shume e rendesihme, sepse ka te beje me respektimin e njeres prej te drejtave themelore te punonjesve te Policise se Shtetit, te cilet perbejne nje pjese te rendesishme te shoqerise tone demokratike.

Kohet e fundit ne organet e medias vizive, nga perfaqesues te politikes, OJF-ve dhe te vete Policise po diskutohet per problemin e sindikatave ne Policine e Shtetit. Diskutuesit japin mendime te ndryshme, disa jane per krijimin e tyre dhe disa jo, disa i referohen pervojes pozitive nderkombetare ku duhet theksuar se te gjitha policite e shteteve europiane, perveç Bosnjes dhe Hercegovines dhe Unionit Serbi-Mali i Zi,  kane sindikatat e tyre. Ndersa, disa i referohen pervojes jo shume te sukseseshme te sindikalizmit ne vendit tone. Ata qe jane per krijimin e saj, shprehen se Sindikata Policore duhet te krijohet duke bere ndryshime ne ligjin “Per Policine e Shtetit” apo te miratohet me vendim te Qeverise.

           Çeshtja qe shqeteson ne diskutimin apo debatin e hapur per problemin e sindikatave ne Policine tone mendoj se eshte fakti se diskutantet ne mendimet qe shprehin nuk i referohen aspak ose i referohen perciptazi akteve normative, te cilat trajtojne çeshtjen e sindikalizmit. Ky fakt e ben diskutimin e kesaj çeshtjeje jo bindes dhe jo konstruktiv.

           

A ka akte normative qe trajtojne çeshtjen e sindikalizimit ne pergjithesi dhe ate ne polici ne veçanti ?

 

Para se te shtjellojme kete çeshtje sjellim ne vemendje te lexuesit, se ne baze te nenit 116 te Kushtetutes tone, aktet normative qe kane fuqi ne te gjithe teritorin e Republikes se Shqiperise jane:

a)     Kushtetuta;

b)    marreveshjet nderkombetare te ratifikuara;

c)     ligjet;

d)    aktet normative te Keshillit te Ministrave.

Akte normative qe parashikojne dhe trajtojne problemin e sindikalizmit dhe qe kane fuqi ne territorin e Republikes se Shqiperise ka disa dhe, duke i renditur sipas rendesise qe ju jep Kushtetuta, ato jane:

Se pari, duhet te theksojme se kjo e drejte themelore dhe universale e njeriut eshte parashikuar dhe sanksionuar nga Kushtetuta e Republikes se Shqiperise. Konkretisht ne pjesen e dyte, kreun e IV-te (lirite dhe te drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore),  ne nenin 50 te saj thuhet: “Te punesuarit kane te drejte te bashkohen lirisht ne organizata sindikale per mbrojtjen e interesave te tyre te punes”.

Se dyti, e drejta e çdo personi per te themeluar, ose per t’u anetaresuar ne sindikata eshte parashikuar ne Deklaraten Universale te te Drejtave te Njeriut, miratuar dhe shpallur nga Asambleja e Pergjithshme e OKB-se me rezoluten e saj nr. 217A(III) te 10 Dhjetorit 1948, e cila eshte njohur dhe ratifikuar nga vendi yne. Ne nenin 23, piken 4 te saj thuhet: “Çdo person ka te drejte te themeloje me persona te tjere sindikata ose te bashkohet me sindikata per mbrojtjen e interesave te tij”.

Se treti, per lirine sindikale ka edhe nje Konvente te posaçme, e cila quhet “Konventa (nr.87) mbi lirine sindikale dhe mbrojtjen e se drejtes sindikale”, miratuar nga Konferenca e Pergjithshme e Organizates Nderkombetare te Punes, ne sesionin e 31 te saj, me 9 korrik 1948, qe ka hyre ne fuqi me 4 korrik 1950. Kjo Konvente eshte njohur dhe ratifikuar edhe nga vendi yne. Ne nenin 2 te saj thuhet: “Punonjesit dhe punedhenesit, pa asnje dallim, kane te drejten, pa autorizim paraprak, te krijojne organizata sipas deshires se tyre, si dhe te drejten per t’u futur ne keto organizata, me te vetmin kusht qe t’i permbahen statutit te ketyre te fundit”.

Se katerti, Kodi i Punes i Republikes se Shqiperise ka parashikuar dhe rregulluar ne menyre te posaçme dhe te plote me disa dispozita te tij sindikalizmin, krijimin e organizatave sindikale, lirite sindikale, ndalimin e nderhyrjes se organeve shteterore dhe te punedhenesve ne krijimin, funksionimin ose administrimin e tyre e te tjera. Ne nenin 10 te tij parashikohet: “ 1) Liria sindikale mbrohet me ligj.

   2) Askush nuk ka te drejte:

   a. te kushtezoje punesimin e punemarresit, nese ai eshte ose jo, ose pushon se qenuri anetar i nje sindikate te krijuar ne baze te ligjit;

b.     te pushoje, ose cenoje te drejten e punemarresit per shkak te anetaresimit ose jo ne nje sindikate te krijuar ne baze te ligjit, ose te pjesemarrjes ne veprimtari sindikale, duke respektuar legjislacionin ne fuqi”.  

 

A kane fushe zbatimi ne Polici aktet normative te cituara me siper ?

 

Natyrisht qe aktet normative te cituara me siper kane fushe zbatimi edhe per punonjesit e Policise se Shtetit per arsye se:

Se pari, me lart theksuam se e drejta sindikale eshte nje e drejte themelore kushtetuese e çdo te punesuari (duke perfshire edhe punonjesit e policise). Ne baze te nenit 4, pika 3, te Kushtetutes, dispozitat e Kushtetutes zbatohen drejtpersedrejti, perveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. Fatmiresisht, per te drejten sindikaliste, Kushtetuta jone nuk ka bere ndonje perjashtim per punonjesit e policise per t’ua mohuar kete te drejte.

Se dyti, megjithese Policia e Shtetit ka nje ligj te veçante dhe punesimi i punonjesve te saj rregullohet me kete ligj dhe jo nga Kodi i Punes, ky i fundit ka fushe zbatimi ne Policine e Shtetit per sindikalizmin. Kete problem e ka zgjidhur vete Kodi i Punes, i cili ne nenin 4 te tij ka parashikuar: “Perjashtohen nga fusha e zbatimit te ketij Kodi:

-  punesimi i personave qe rregullohen me ligj te veçante.

- Dispozita te veçanta te ketij Kodi zbatohen edhe ndaj personave,

punesimi i te cileve rregullohet me ligj te veçante, nese ligji i veçante nuk parashikon zgjidhje per probleme te lidhura me marredheniet e punes.

Kjo do te thote qe, megjithese Policia e Shtetit ka Ligjin e saj, i cili rregullon marredheniet e punes te punonjesve te policise, por nuk e ka parashikuar rregullimin e marredhenieve sindikale, per rrjedhoje dispozitat e Kodit te Punes, persa i perket te drejtes sindikale, krijimit dhe funksionimit te sindikatave, kane fushe te plote zbatimi ndaj punonjesve te policise.

Pra, nga keto dipozita kuptohet qarte qe edhe punonjesit e policise kane te drejten ligjore qe te krijojne sindikaten e tyre dhe te organizohen ne te. Po keshtu, Sindikatat e Policise, ne baze te akteve normative te cituara me siper, kane te drejten ligjore qe te krijojne federata dhe konfederata, dhe te anetaresohen ne to.

Se treti, eshte shume e rendesishme te theksojme edhe faktin se Ligji nr. 8553, date 25.11.1999, “Per Policine e Shtetit” nuk e ndalon te drejten sindikale te punonjesve te policise. Ne baze te parimit universal te te drejtes, nje gje qe nuk ndalohet nga ligji, lejohet. Ky ligj, ne nenin 52 te tij, me te drejte u ka ndaluar punonjesve te policise ushtrimin e te drejtes se greves, si edhe te bejne grumbullime me armatimet ose mjetet e sherbimit. Ndalimi i kesaj te drejte me ligj, u heq shqetesimin qe kane disa diskutanteve te kesaj çeshtjeje dhe drejtuesve te M.R.Publik dhe te Policise per anomalite qe mund te shkaktohen nga ndonje greve e mundeshme e policise e organizuar nga sindikata. Per kete problem duhet te sqarojme gjithashtu, se megjithese edhe e drejta e greves per te punesuarit qe ka te beje me marredheniet e punes eshte nje e drejte kushtetuese, per punonjesit e policise ajo nuk lejohet. Ky ndalim ligjor eshte  sanksionuar dhe shprehur qarte ne radhe te pare ne Kushtetute, ne nenin 51, pika 2, ku shprehet: “Kufizime (behet fjale per te drejten e greves) per kategori te veçanta te punesuarish mund te vendosen me ligj per t’i siguruar shoqerise sherbimet e domosdoshme”. Pra, siç thame me lart, kete kufizim kushtetues e ka parashikuar edhe vete Ligji “Per Policine e Shtetit”, ne nenin 52 te tij, ku shprehet: “Punonjesve te Policise u ndalohet te ushtrojne te drejten e greves”. Gjithashtu, ne te njejtin nen eshte parashikuar edhe “ndalimi i punonjesve te policise qe te bejne grumbullime me armatimet ose mjetet e sherbimit”. Keto ndalime kushtetuese dhe ligjore nuk do te thone qe atyre u mohohet ose u ndalohet ushtrimi i te drejtes se sindikalizmit. Po te donte te ndalonte te drejten e sindikalizmit, ligji do e thoshte shprehimisht kete ndalim dhe nuk do parashikonte qe nuk kane te drejte te ushtrojne te drejten e greves apo te bejne grumbullime me armatimet ose mjetet e sherbimit.

Se katerti, Policia e Shtetit ne baze te nenit 1, pika 3, te Ligjit “Per Policine e Shtetit” eshte e depolitizuar.  Duke qene e tille, bie poshte edhe shqetesimi qe mund te kene drejtuesit per instrumentalizimin e Sindikates se Policise nga politika. Per te qene me te qete ne kete aspekt, duhet te permendim faktin qe vitet e fundit Policia e Shtetit ka treguar me raste konkrete qe di te qendroje larg politikes. Pra, nuk ka asnje baze dhe  mundesi ligjore qe Sindikata Policore te behet vegel apo pjese e politikes.

 

Perse i duhet sindikata Policise se Shtetit dhe kush do t’i krijoje ato?

  

            Ekzistenca e Sindikates ne Polici eshte standart i vendeve te Bashkimit Europian.

Sindikata, i duhet Policise per te perfaqesuar dhe mbrojtur interesat ekonomike, profesionale dhe shoqerore te punonjesve te policise. Policia jone ka bere shume arritje per kryerjen e misionit te saj ligjor dhe te detyrave te saj funksionale per ruajtjen e rendit dhe te qetesise publike, si edhe per respektimin e te drejtave dhe lirive themelore te qytetareve. Por per te qene realist duhet te pranojme qe ajo ka probleme, madje ka shume dhe te mprehta brenda saj, te cilat mund te gjejne zgjidhje nepermjet sindikates.

Keshtu  mund te permendim:

- mos-respektimin e dispozites ligjore, nenit 62 te Ligjit “Per Policine e Shtetit” per kohen e punes dhe te pushimit. Sipas kesaj dispozite, koha e punes dhe ajo e pushimit njehsohet me ate te administrates publike, e cila eshte 5 dite pune dhe 2 dite pushimi ne jave. Mirepo, ne fakt punonjesit e policise, veçanerisht ne baze, nuk e perfitojne kete te drejte;

- mos-pagimi i mbikohes se punes dhe te sherbimit, si edhe per rastet e sherbimeve ne ditet e pushimit javor apo te festave zyrtare, siç eshte parashikuar ne nenin 53, pika 4, dhe nenin 62, pika 3, te Ligjit “Per Policine e Shtetit”. Megjithese Ligji ka hyre ne fuqi para disa vjetesh, pagesa e punonjesve te policise per mbikohen e punes behet e cunguar, pjeserisht dhe ne baze te disa akteve nenligjore;

- mosrespektimi i kritereve dhe proçedurave ligjore per emerimet ne detyre, lirimet dhe perjashtimet nga Policia te punonjesve te policise;

- mosrespektimi i kritereve ligjore per dhenien  e gradave;

- moszbatimi i vendimeve gjyqesore per punonjesit e policise te

rikthyer ne pune, ose per demshperblimin e tyre per kohen e qendrimit te papune;

- mosperfitimi i familjareve te punonjesve te policise te vrare, ose i punonjesve te policise te plagosur per shkak te detyres para vitit 1999;

           - moskujdesja per strehimin e punonjesve te policise, ne zbatim te nenit 67 te Ligjit “Per Policine e Shtetit”;

- mos-pagimi i punonjesve te policise per periudhen e qendrimit ne dispozicion, ne zbatim te nenit 64, pika 4, germa “ç”, te Ligjit nr. 8553, date 25.11.1999, “Per Policine e Shtetit”; nenit 5, germa “a”, te Ligjit nr. 8661, date 18.09.2000, “Per sigurimin shoqeror suplementar te punonjesve te Policise se Shtetit” dhe te nenit 58/1/a’ te Ligjit  nr. 7703, date 11.05.1993, “Per Sigurimet Shoqerore ne Republiken e Shqiperise”.

Problemet e mesiperme dhe ndonje tjeter qe mund te kem lene pa permendur, mund te gjejne zgjidhje nepermjet sindikates. Ajo me kontributin e saj aktiv dhe duke u bere pjese e vendim-marrjes do te ndihmoje edhe drejtuesit e M.R.Publik dhe te Policise per zgjidhjen e problemeve qe ka Policia, per te cilat ne fund te fundit duhet edhe kontributi i Qeverise dhe i Parlamentit. Qe t’u kerkosh punonjesve te policise respektimin e te drejtave dhe lirive themelore te qytetareve, do te ishte mire qe t’u plotesohen dhe respektohen njekohesisht edhe te drejtat e tyre ligjore. Ndersa, po t’u kerkosh vetem te paren dhe te mos kujdesesh per te dyten, nuk do te ishte as ligjore dhe as e moralshme njekohesisht.

           Ne baze te dispozitave ligjore te permendura me siper, sidomos te atyre te Kodit te Punes, ne se do te krijohet Sindikata Policore, ajo do te krijohet sipas ligjit dhe njekohesisht eshte e detyruar qe aktivitetin e saj ta zhvilloje po ne baze te ligjit. Ajo do te kete dokumentacionin e saj, aktin e krijimit dhe statutin, ne baze te te cilave do te funksionoje. Perputhjen e dokumentacionit me ligjin e kontrollon Gjykata e Rrethit Tirane, e cila ne baze te nenit 178/1 te Kodit te Punes ka te drejten ligjore te njohjes (miratimit) te saj si person juridik.

Pra, si konkluzion mund te themi se, e drejta per te krijuar dhe u organizuar ne sindikata e punonjesve te policise eshte nje e drejte plotesisht e ligjshme dhe ekskluzivitetin e krijimit te saj e kane vetem punonjesit e policise. Ne te njejten kohe duhet te theksojme edhe faktin, se sindikata eshte organizate shoqerore, e pavarur, qe krijohet si bashkim vullnetar i punemarresve ose punedhenesve dhe organet shteterore ose punedhenesit nuk kane asnje te drejte te krijojne ose te ndalojne krijimin e saj. Ky detyrimim ligjor eshte parashikuar ne nenin 3, piken 2, te Konventes “Mbi lirine sindikale dhe mbrojtjen e se drejtes sindikale”, ku thuhet: “Autoritetet publike nuk duhet kurrsesi te nderhyjne per te kufizuar kete te drejte apo per te penguar ushtrimin e ligjshem te saj”.

Detyrimi i mesiperm eshte parashikuar edhe ne nenin 184 te Kodit te Punes te Republikes se Shqiperise ku thuhet: “1) Ndalohet çdo akt nderhyrjeje ne krijimin, funksionimin ose administrimin e organizatave profesionale nga organet shteterore.

2) Ndalohet çdo akt nderhyrjeje ne krijimin, funksionimin ose administrimin e organizatave te punemarresve nga punedhenesit ose organizatat e punedhenesve”.

Gjithashtu, ia vlen te theksojme qe neqoftese do te krijohet Sindikata Policore, do te ishte mire qe ne organet drejtuese te saj te zgjidheshin persona nga “elita” e policise, njerez me kulture te pergjithshme dhe profesionale, me rezultate te larta dhe korrekt ne detyre dhe jo mediokrit dhe problematiket, qe per fat te keq, siç ka treguar pervoja e vendit tone, nuk mungojne ne te tilla raste. Vetem keshtu, ajo mund te krijoje personalitetin e saj juridik dhe te behet e denje dhe e besueshme ne masen e punonjesve te policise, te cilet shpresojne shume prej saj.

 

Cili do te jete roli dhe kontributi i drejtuesve te M.R.Publik dhe te Policise se Shtetit ne krijimin e Sindikates Policore ?

 

           Per mendimin tone kontributi i drejtuesve te M.R.Publik dhe te Policise se Shtetit per kete problem shume te rendesishem qendron ne krijimin e mjedisit te pershtatshem dhe qendrimit dashamires te tyre ndaj personave qe deshirojne te krijojne Sindikaten e Policise. Sepse, megjithese ajo eshte nje e drejte kushtetuese dhe ligjore e punonjesve te policise, por duke mos mbyllur syte e veshet para realitetit tone, ku zbatimi i ligjit nuk po konsiderohet akoma gje e shenjte”, iniciatoreve te krijimit te saj mund t’u hapen “telashe”. Per me teper, ky rrezik shtohet pas Vendimit Unifikues te Kolegjeve te Bashkuara te Gjykates se Larte, nr. 31, date 14.04.2003, i cili u mohon te drejten e kthimit ne pune punonjesve te policise edhe kur gjykatat konstatojne dhe provojne ligjerisht se ata jane larguar padrejtesisht nga puna. Megjithese nuk eshte pjese e ketij debati, nuk mund te rrime pa shfaqur mendimin edhe te shume kolegeve juriste, se ky vendim vjen ne kundershtim te plote dhe te hapur me nenin 44 te Kushtetutes, ku thuhet: “Kushdo ka te drejte te rehabilitohet dhe/ose zhdemtohet ne perputhje me ligjin, ne rast se eshte demtuar per shkak te nje akti, veprimi ose mosveprimi te paligjshem te organeve shteterore”. 

Sipas fjalorit te shqipes se sotme, botim i Institutit te Gjuhesise dhe Letersise i vitit 1984, faqe 1015, rehabilitim d.m.th. t’i kthesh dikujt zyrtarisht te drejtat qe i ka humbur ose qe i jane hequr gabimisht; t’i kthesh ose t’i vesh perseri ne vend dikujt emrin e mire ose nderin qe i ishte perlyer. Pra nga ky shpjegim e sqarim i fjalorit, kuptohet qarte qe ne rastet e perjashtimit te pabazuar nga policia, e drejta kryesore qe i hiqet padrejtesisht punonjesit te policise nga akti i paligjshem i organeve shteterore (urdheri i perjashtimit nga Policia), eshte e drejta per pune. Dhe qe ta rehabilitosh ate do te thote qe t’i rikthesh atij te gjitha te drejtat, ku vendin kryesor e ze rikthimi ne pune, kur provohet gjyqesisht se ai eshte hequr padrejtesisht nga puna. Nuk ka dhe nuk mund te kete de jure e de facto rehabilitim te nje personi te hequr padrejtesisht nga puna vetem me faktin e demshperblimit te tij qe maksimalisht behet me pagen e nje viti pune, siç eshte vendosur me Vendimin Unifikues te cituar me siper.

          Sikunder e vute re, jo pa qellim e mbylla fjalen time me nje paranteze qe ne fund te fundit, synon te menjanoje nje preçedent barriere per realizimin e nje te drejte themelore te njeriut, sikurse eshte ajo e organizimit ne sindikata. Nevojen dhe kohen se kur do te krijohet Sindikata e Policise nuk e cakton asnje nga ne, por veçse vete punonjesit e Policise.

 

          Ju faleminderit per vemendjen,

 

___________________________________________________________________________

 

Kthim prapa

 

 

© 2002 - Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Ky web site mirëmbahet nga Institucioni i Avokatit te Popullit