Aktivitete të ndryshme

___________________________________________________________________________

 

 

FJALA E AVOKATIT TE POPULLIT Z. ERMIR DOBJANI MBAJTUR NE TRYEZEN E RRUMBULLAKET ME TEME:  

Shqipëria dhe Protokolli Plotësues i Konventës kundër Torturës (OPCAT) – Mekanizmi Kombëtar i Parandalimit, mundësi konkrete për parandalimin e torturës dhe cdo forme tjetër çnjerëzore dhe degraduese

- Organizuar nga Qendra Shqiptare per Rehabilitimin e Viktimave te Tortures dhe Avokati i Popullit -

Tirane, 10 Mars 2008

 

 

“SFIDAT E AVOKATIT TE POPULLIT PER NGRITJEN E MEKANIZIMIT KOMBETAR PER PARANDALIMIN E TORTURES”

 

 

 

            Shkelqesia Juaj Zoterinj Ambasadore !

Te nderuar deputetë, miq, koleg e te ftuar !

 

          Kam nderin e veçante te ndaj me Ju rendesine e ketij takimi dhe vleresoj prezencen tuaj si nje faktor i rendesishem per rritjen e standarteve ne fushen e mbrojtjes se te drejtave te njeriut dhe veçanerisht ne parandalimin e tortures ne vendin tone.

          Nuk eshte e rastesishme qe shume prej jush e shohin vehten te perfshire ne nje proçes kaq te rendesishem dhe delikat siç eshte implementimi i Protokollit Opsional te Konventes kunder Tortures, dhe Denimeve te tjera Çnjerezore dhe Degraduese (OPCAT) ne Shqiperi.

Ky angazhim tregon se organet e larta te shtetit tone dhe partneret nderkombetar qe asistojne proçeset tona integruese jane ne nje emerues te perbashket per te nxitur dhe respektuar aktet nderkombetare te ratifikuara nga Kuvendi dhe per t`i bere ato realisht pjese te sistemit tone te brendshem ligjor.

Ne kete prezantim nuk kerkoj te ndalem dhe te perseris rendesine e miratimit te OPCAT-it, pasi ajo ka qene pjese e nje proçesi vendimarres politik nga ana e Kuvendit te Shqiperise, i finalizuar ky me Ligjin Nr.9094 dt.3.07.2003.

Por ajo qe ka rendesi ne permbushjen e funksioneve kushtetuese dhe ligjore te Institucionit te Avokatit te Popullit eshte proçesi i ngritjes dhe venies ne funksionim te organizimit kombetar qe parashikon OPCAT, i quajtur ndryshe Mekanizimi Kombetar per Parandalimin e Tortures.

Avokati i Popullit se bashku me Qendren Shqiptare te Rehabilitimit te Viktimave te Tortures qene te paret qe ngriten shqetesimin vitin e kaluar per mungesen e iniciativave zyrtare per te ngritur kete strukture.

Ne vijim te kesaj, Zyra jone vuri ne dijeni per kete çeshtje me ane te nje rekomandimi Presidentin e Republikes, Kryetaren e Kuvendit dhe Kryeministrin e Shqiperise, duke kerkuar ngritjen sa me pare te kesaj strukture dhe atashimin e saj prane Avokatit te Popullit.

Ky propozim u shoqerua me nje sere argumentash mbi perputhshmerine qe ekzitonte midis kerkesave te OPCAT-it dhe profilit ligjor te Institucionit te Avokatit te Popullit, si dhe me prezantimin e nje kerkese per te miratuar nje fond shtese page per pese persona, i cili do te ishte mese i mjaftueshem per realizimin e qellimeve te ketij mekanizmi. Per te dhene disa detaje me shume per kete çeshtje, ne vijim po ju paraqesim disa nga argumentat kryesore te perdorura:

Se pari, Institucioni i Avokatit te Popullit bazuar ne kompetencat kushtetuese dhe ligjore permbush te gjitha kerkesat e OPCAT-it ne lidhje me caktimin e misionit te Mekanizmit Kombetar per Parandalimin e Tortures. Sipas kritereve kryesore, Avokati i Popullit plotesonte kushtin si institucion i pavarur dhe me nje gam mjaft te gjere kompetencash ne fushen e monitorimit te ambjenteve ku eshte e privuar liria e personit.

Ky institucion sipas vleresimeve nderkombetare i permbushte edhe te gjitha kriteret e Parimeve te Parisit mbi ngritjen e institucioneve te pavarura per mbrojtjen e te drejtave te njeriut.

Se dyti, Institucioni i Avokatit te Popullit eshte nje strukture e konsoliduar nga pikepamja administrative dhe atashimi i ketij Mekanizimi nuk do te shoqerohej me shpenzime te medha buxhetore, sikurse do te rezultonte ne rastin e krijimit te nje institucioni te ri me vehte. Kjo arsye i pershtatet edhe politikes dhe programit ekonomik te Qeverise Shqiptare per mos rritjen e shpenzimeve buxhetore per ngritjen e institucioneve paralele.

Se treti, Institucioni i Avokatit te Popullit gezon prej vitesh nje eksperince te madhe dhe te vleresuar ne fushen e parandalimit te tortures, shfaqur kjo ne rastet mjaft te njohura te vrasjes nga policia te Gazmend Tahirllarit ne Korçe, vetvarjes se Amarildo Perfundit nga dhuna fizike po nga Policia e Korçes, tortures ndaj te miturit Ergest Shela  ne Sarande etj.

Me kete rast ju rikujtoj se zyra jone ishte nje nga promotoret e riformulimit te Nenit 86 te Kodit Penal per torturen si veper penale, duke e pershtatur kete nocion sipas akteve nderkombetare.

Krahas kesaj rekomandimet tona ne keto 8 vite nuk kane qene te pakta ne rastin e nxjerrjes se perfundimeve per inspektimet e kryera ne burgje, dhoma paraburgimi, spitale psikiatrike, qendra te antitrafikut etj.

Keto rekomandime se bashku me shume propozime te tjera per ndjekje penale dhe disiplinore ndaj nepunesve qe ushtronin dhune dhe torture kane qene nje pike reference per mjaft raporte te tjera nderkombetare ne fushen e te drejtave te njeriut si psh. Raporti i Departamentit te Shtetit te SHBA-ve, Amnisty International etj.

Ne keto kushte me krijimin e ketij mekanizimi, Avokatit te Popullit i hapet rruga per te raportuar direkt prane organizmave te OKB-se qe mbulojne fushen e parandalimit te tortures, gje e cila tashme perben nje avantazh per efektivitetin e punes tone.

Se katerti, Avokati i Popullit eshte prej kohesh nje institucion mjaft i besueshem konsultash dhe shkembimi informacioni per Komitetin Europian te Parandalimit te Tortures (CPT) çka perben nje garanci akoma dhe me te madhe per mbarevajtjen e kesaj veprimtarie brenda nje institucionalizimi te metejshem te profilit te saj ne kete fushe.

Me diskutimet qe pasuan propozimet e ngritura nga ana jone, u be e qarte dhe e kuptueshme se keto argumenta ishin mese te llogjikshme dhe duheshin pranuar.

Per rrjedhim, pas miratimit te Ligjit “Per Buxhetin e Shtetit“ ne fillim te vitit 2008, jemi njoftuar se institucionit tone i ishte akorduar shtesa ne personel per pese nepunes qe do te punesohen prane ketij Mekanizmi. Ky veprim u mireprit nga ana jone dhe u pershendet si njohje de facto e pranimit te propozimit tone nga Kuvendi dhe Qeveria.

Tashme sfidat per ngritjen dhe venien ne funksionim efiçent te Mekanizmit Kombetar per Parandalimin e Tortures kane filluar te fokusohen ne kater aspekte kryesore :

Se pari, Institucioni i Avokatit te Popullit eshte ne vijim te krijimit te kontakteve per bashkepunim dhe asistence me partneret nderkombetare qe operojne ne fushen e parandalimit te tortures. Ky bashkepunim eshte propozuar ne kuader te perfitimit te nje eksperience pune mbi praktikat e perparuara nderkombetare, po ashtu dhe per te perfituar asete teknike te logjisitikes per rritjen e efiçenses ne terren te ketij Mekanizmi.

 Per te qene te sinqerte ne nuk kemi krijuar ende nje fizionomi te qarte te partnereve te vertetete nderkombetare qe do te bashkepunojne ne menyre afatgjate me ne. Por gjej rastin para kesaj audience te nderuar te deklaroj se institucioni qe une drejtoj mbetet i hapur te mireprese cdo oferte apo propozim ne permbushje te ketij qellimi.

Se dyti, ne do te vazhdojme te kerkojme nga ana e Qeverise miratimin e buxhetit shtese edhe per pagesat e pagave te punonjesve per kete strukture, si dhe te fondeve shtese operative, pa te cilat veprimtaria e ketij sektori do te jete tejet e veshtire.

Se treti, Avokati i Popullit eshte ne vazhden e proçedurave per njohjen de jure te ketij mekanizmi nga ana e organeve me te larta shteterore, si dhe te pershtatjes se legjislacionit aktual me Protokollin Opsional te Konventes per prandalimin e Tortures.

Me lejoni t`ju informoj ne kete kuader se fale nderhyrjeve dhe insistimeve tona te fundit prane Komisionit te Ligjeve, Administrates Publike dhe te Drejtave te Njeriut prane Parlamentit Shqiptar eshte bere e mundur qe ne ndryshimet e Ligjit “Per te Drejtat dhe Trajtimin e te Denuarve“ qe do te futet se shpejti per votim ne seance plenare jane perfshire per here te pare disa nene ne lidhje me rolin e Mekanizimit Kombetar per Parandalimin e Tortures.

Ky rol tashme po zevendeson mbikqyrjen e prokurorit mbi burgjet te parashikuar ne permbajtjen e vjeter te ligjit. Parimisht eshte rene dakort qe me disa ndryshime Mekanizimi t`i permbahet plotesisht kompetencave dhe garancive ne detyre te parashikuara shprehimisht ne OPCAT.

Kjo shpresojme te jete nje nisje e mbare per kete strukture te re, qe pa dyshim do te garantoje nje standart edhe me te larte ne fushen e te drejtes penitenciare dhe mbrojtjes se te burgosurve.

          Me miratimin e ketij ligji dhe me disa ndryshime qe do te propozojme ne te ardhmen edhe ne Ligjin “Per Avokatin e Popullit“ ne mendojme se do te konsolidojme dhe do te institucionalizojme perfundimisht kete strukture, konform kerkesave te OPCAT-it. Gjithashtu do te jemi mjaft aktive ne dhenien e mendimeve per legjislacionin dhe aktet nenligjore qe kane te bejne me personat qe jane objekt i punes qe rrjedh nga OPCAT-i.

          Nje tjeter çeshtje qe ngrihet si sfide para nesh eshte edhe fillimi i punes se kesaj strukture. Krahas nepunesve me profil jurist qe pritet te pranohen se shpejti me nje konkurs te hapur sipas kerkesave te Ligjit “Per Statusin e Nepunesit Civil“, mekanizmit i nevojitet nje asistence e perhershme nga eksperte te fushave te tjera, si mjeksia ligjore, psikiater, psikologe apo specialiste per teknika audio-vizuale.

Kjo nevoje duhet pare e lidhur ngushte me nje sere trajnimesh per shkembim eksperience dhe ndihme teknike. Keto dy çeshtje kane bere qe Avokati i Popullit te kerkoje tek shoqeria civile nje partner te veçante brenda fushes se tortures, i cili ka shprehur interesin te bashkepunoje me ne per çeshtje me rendesi te veçante.

          Ne si institucion se shpejti do te nenshkruajme nje memorandum mirekuptimi dhe bashkepunimi me Qendren Shqiptare te Rehabilitimit te Viktimave te Tortures, me ane te se ciles mendojme t`i japim zgjidhje nje sere çeshtjesh qe per nga profili dhe eksperienca nuk mund ti mbulojme tani per tani me burimet tona njerezore.

Ne nje plan me konkret, ky bashkepunim do te tentoje te zhvilloje ne terren nje pune te kombinuar midis inspektimeve qe do te kryhen nga ana e mekanizmit dhe asistences ne fushat e mjekesise ligjore, psikologjise, punonjesve sociale etj qe do te ofroje Qendra e Traumes.

Kjo eshte nje eksperience qe aktualisht sipas nje raporti te Shoqates se Parandalimit te Tortures (APT) me qender ne Gjeneve Zvicer po ndiqet edhe ne vende te tjera si Psh. Moldavi, Poloni, Çeki, Danimarkë, Ukrainë etj dhe po rezulton se eshte nje iniciative e sukseshme.

Ne mendojme se nje ecuri e tille e aktivitetit te ketij mekanizimi shume shpejt do te jape frutet e tij ne terren duke u bere nje strukture efektive dhe e dobishme ne planin kombetar te parandalimit te tortures.

Institucioni i Avokatit te Popullit mendon se krahas perpjekjeve te njepasnjeshme per t`i dhene nje fizionomi konkrete mekanizimit, duhet te mbahet ne konsiderate edhe kerkesat sipas OPCAT-it, lidhur me stafin e Mekanizmit dhe modelin e punes.

Duke patur parasysh keto kerkesa ne kemi caktuar rregullin qe ne perberje te mekanizimit te kete nje balancim te pranueshem gjinor dhe te pakicave kombetare, çka do te siguroje ne te ardhmen nje garanci dhe integritet te larte te kesaj strukture ne raport me publikun.

Perberja e stafit dhe paanshmeria e veprimtarise se tij jane dy instrumente qe kerkojne ta bejne sa me te besueshem punen e kesaj strukture, per me teper kur behet fjale qe raportet qe do te hartohen do te paraqiten ne menyre periodike ne instancat me te larte te OKB-se lidhur me zbatimin e OPCAT-it. Njekohesisht ne mendojme se keto raporte do te jene nje burim i besueshem dokumentacioni dhe reference edhe per organizata te tjera ndekombetare qe operojne ne fushen e te drejtave te njeriut.

          Njekohesisht ne mendojme se puna ne terren ka sfidat e saj te personalizuara, te cilat kerkojne nje angazhim dhe energji te caktuar.

          Se pari problem mbetet mungesa e mjeteve logjistike si kompjutera, telefona, mjete te transportit dhe mungesa e buxhetit per dieta, karburant etj. Ashtu siç u shprehem edhe me lart Qeveria nuk ka miratuar per vitin 2008 fonde shtese perveç pagave te stafit te mekanizimit per ta vene ne eficense te plote punen e tij.

          Ne keto kushte do te jemi te detyruar qe te pakten per vitin 2008 te operojme me projekte afat shkurtra dhe me nje asistence te veçante nga donatore te ndryshem per te permbushur misionin tone per te kontribuar per paraqitjen e raportit te pare te Shqiperise ne OKB brenda Muajit Maj 2009.

          Se dyti, kemi marre angazhimin per te unifikuar metodikat e inspektimit dhe kontrollit ne ambjente ku privohet liria e personit. Gjitashtu jemi ne fazen e njohjes se modeleve te ndryshme te organizimit te struktures se mekanizmit, sipas shembujve nderkombetare dhe mendojme t`i pershtasim ato konform kushteve te aktualitetit shqiptar.

          Se treti, mendojme te punojme ne tre drejtime kryesore duke u konsultuar edhe me manuale te zbatimit te OPCAT te vene ne dispozicion nga APT me qender ne Gjeneve Zvicer. Pra me inspektimet e programuara, inspektimet me tematike si dhe me nderhyrjet e ndryshme ne kuadrin ligjor ne fuqi lidhur me trajtimin e kategorise se personave ndaj te cileve eshte privuar liria.

          Se katerti, duhet bere nje fushate e organizuar mediatike per njohjen e Mekanizimit, kompetencave dhe veprimtarise se tij.

          Me kete strategji ne kerkojme qe shume shpejt te veme ne funksionim mekanizimin per parandalimin e tortures dhe t`i hapim rruge nje sere projektesh te tjera afatgjate ne kete fushe.

          Vlen te theksohet ne kete kuader se keto sfida po kalohen edhe nga disa institucione homolge te Avokatit te Popullit ne Europe, pasi Mekanizimi eshte nje organizem relativisht i ri i OPCAT-it, i cili vetem gjate vitit 2007 filloi te evidentohej si nje nevoje e detyrueshme per zbatim ne shume shtete.

 Kam parasysh ketu rastin edhe te vendeve me te zhvilluara si Franca, Gjermania, Danimarka etj, te cilat vetem gjate vitit 2007 filluan perpjekjet e tyre per ngritjen e nje strukture te tille.

          Ne mendojme se Mekanizmi qe po ngrihet prane Avokatit te Popullit do te perballoje edhe sfiden e mos gjetjes se nje terreni te pershtatshem apo nje modeli te gatshem eksperience nga vende apo homologe te tjere, pasi pak a shume starti per nje inisiative te tille  eshte i njekoheshem.

          Gjithsesi ne shpresojme se me ndihmen e Komitetit kunder Tortures OKB-se (CAT), me strukturat e reja te Nenkomitetit, si dhe me nje seri partneresh te tjere nderkombetare, OJF etj do te bejme te mundur qe Mekanizmi Kombetar per Parandalimin e Tortures ne Shqiperi te gjeje shume shpejt vendin e tij te dobishem ne interes te te drejtave dhe lirive te individit.

          Pavaresisht veshtiresive te momentit, Avokati i Popullit eshte i vendosur te angazhohet shume shpejt ne disa projekte ambicioze edhe ne planin rajonal, per te vendosur kontakte dhe shkembyer eksperienca me institucionet homolge ne vendet e tjera te ballkanit, çka do ta beje shume te prekshem suksesin e impelemtimit te OPCAT-it edhe ne nivel rajonal.

          Ne mendojme se pasigurite dhe paqartesite qe po shoqerojne aktualisht punen tone ne disa drejtime do te marrim nje pergjigje te shpejte nga organizmat nderkombetar, sidomos  me ndihmen per tu bere pjese e programeve te ardhshme trajnuese dhe kualifikuese ne kete fushe, te cilat do t`i japin punes tone nje profil shume profesional dhe bashkekohor.

Kjo ide eshte e lidhur ngushte me krijimin e urave te komunikimit me homologet tane te huaj dhe pa dyshim me Komitetin dhe Nenkomitetin kunder Tortures prane OKB-se, me Keshillin e Europes, si dhe me OJF te tjera vendase dhe te huaja qe kane nje eksperience te gjate ne kete fushe.

Avokati i Popullit ka treguar ne te kaluren se iniciativa te tilla me partere te huaj jane trajtuar me shume seriozitet dhe kane rezultuar mjaft te sukseshme. Me lejoni t`ju kujtoje se edhe vete ngritja e Ombudsmanit ne Shqiperi ishte produkt i nje perpjekje serioze te homologeve tane te huaj e konkretisht te Qeverise dhe Ombudsmanit Danez, nepermjet programit Danida.

Ne kete fryme dhe mbi te njetat parime bashkepunimi ne mendojme se shume shpejt ne vendin tone do te gjeje zbatim nje tjeter strukture e re e te drejtave te njeriut, e cila me punen e saj do te jape imazhin se tortura dhe cdo denim tjeter çnjerezor dhe degradues jane nje fenomen qe duhet te rrine larg institucioneve shqiptare dhe te mos pengojne shoqerine shqiptare ne proçeset integruese.

 

  

Ju faleminderit

 

AVOKATI I POPULLIT

 

 

Ermir DOBJANI

 

___________________________________________________________________________

 

Kthim prapa

 

 

© 2002 - Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Ky web site mirëmbahet nga Institucioni i Avokatit te Popullit