Avokati i Popullit Z. Igli Totozani

Marrëveshje e përbashkët bashkëpunimi ndërmjet Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë dhe Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës

Tiranë, më 18/09/2009

MARRËVESHJE E PËRBASHKËT BASHKËPUNIMI


Ndërmjet

Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga z. Ermir Dobjani

dhe

Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga z. Sami Kurteshi,

të cilët do të quhen “palë” në këtë marrëveshje.

Institucioni i  Avokatit të Popullit në Republikën e Shqipërisë, është institucion publik i pavarur, i parashikuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, i cili funksionon në bazë të ligjit nr. 8454 datë 4.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar.

Institucioni i Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, është institucion publik i pavarur, i parashikuar  nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, i cili funksionon në bazë të Rregullores 2006/06 “Mbi Institucionin e Avokatit të Popullit në Kosovë”.
QËLLIMI I MARRËVESHJES
Përfaqësuesit zyrtarë të të dy palëve të mësipërme kanë rënë dakort për një bashkëpunim institucional afatgjatë midis tyre, i cili është në interesin e individëve dhe grupeve të individëve, me banim respektivisht në territorin e secilit prej shteteve përkatëse,

me qëllim të mbrojtjes efektive të të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të personave tjerë

që gjenden brenda territorit të shtetit gjegjës, kur ato cënohen apo shkelen nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme të organeve apo të autoriteteve publike.

Prandaj, palët ranë dakort që bashkëpunimi institucional midis tyre të përfshijë çështjet si më poshtë:
ZBATIMI I MARRËVESHJES
Neni 1
Institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri dhe Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë do të bashkëpunojnë duke respektuar dhe duke patur parasysh parimet Ratione loci dhe ratione personae për ofrimin e një shërbimi të plotë ligjor, në kuadër të mandatit ligjor respektiv për të hetuar pretendimet për shkelje të teë drejtave të njeriut, për të gjithë individët apo grupet e individëve që paraqesin ankesa, kërkesa apo njoftime pranë tyre, shërbim i cili do të konsistojë në ndihmën për zgjidhjen e problemeve në organet apo autoritetet e administratës publike të të dy shteteve.

Zyrat përkatëse do të punojnë vetë për zgjidhjen e tyre sipas ligjeve dhe procedurave përkatëse  të secilës palë ose do t’ja dërgojnë për kompetencë palës tjetër ose organit tjetër kompetent.
Neni 2
Palët do të udhëhiqen gjithnjë dhe mbi të gjitha nga interesi i qytetarëve, të cilët kanë nevojë për ndihmën e palëve. Por në secilin rast, pala që pranon ankesën, kërkesën apo njoftimin duhet të njoftojë me shkrim palën tjetër, kur ankesa, kërkesa apo njoftimi paraqitet nga individi apo grup individësh që janë shtetas apo banorë rezidentë të shtetit të asaj pale. Ky rregull nuk zbatohet vetëm kur individi apo grupi i individëve  kërkon që ankesa apo kërkesa të ruhet (konsiderohet) konfidenciale.
Neni 3
Institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri dhe Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë angazhohen të bashkëpunojnë për lobimin dhe zhvillimin e ideve për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe zbatimin e legjislacionit ekzistues në fushën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të individëve, nëpërmjet propozimeve, rekomandimeve apo kërkesave ligjore drejtuar organeve përkatëse, duke patur parasysh perspektivën Evropiane të të dy shteteve. Mbi këtë bazë, palët  mund t’i referojnë dokumentet (projektet) njëra-tjetrës apo të diskutojnë për zgjidhjet sa më efektive për to.
Neni 4
Palët angazhohen të bashkëpunojnë për rritjen e kapaciteteve profesionale, menaxhuese dhe administrative të të dyja institucioneve nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta që do të zhvillohen në bazë të një grafiku të përcaktuar dhe me projekte të posaçme për secilin prej tyre.
Neni 5
Palët angazhohen të realizojnë takime, konferenca, seminare, workshope dy palëshe dhe shumëpalëshe (në rang rajonal) dhe më gjerë për rritjen dhe konsolidimin e rolit të

Institucioneve të tyre për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
ASPEKTET FINANCIARE
Neni 6

Shpenzimet për realizimin e çdo lloj aktiviteti të përbashkët do të përballohen bashkërisht nga buxheti i secilës zyrë, në përputhje me parashikimet e përafërta që do të ketë projekti përkatës për secilin prej tyre.

Përveç kësaj, për aktivitete specifike, mund të procedohet me  ngritjen e fondeve për të përfituar donacione nga grupet e interesit, organizata jofitimprurëse nga të dy vendet apo nga institucione të tjera ndërkombëtare.
Neni 7
Palët kanë të drejtë të informojnë çdo subjekt të interesuar për ekzistencën dhe përmbajtjen e kësaj marrëveshje bashkëpunimi.

Neni 8

Palët në këtë Marrëveshje Bashkëpunimi do të bëjnë të gjitha përpjekjet për ekzekutimin sa më efektiv të të gjitha detyrimeve të marra përsipër prej tyre, në mënyrë që t’i shërbejnë kështu interesit të përbashkët mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të individeve.
Neni 9
Kjo Marrëveshje Bashkëpunimi lidhet për një afat të pacaktuar dhe ajo do të jetë në fuqi për sa kohë do të gjykohet si e nevojshme dhe e domosdoshme nga palët.
Neni 10
Kjo marrëveshje hyn në fuqi datën e nënshkrimit të saj.

Marrëveshja u nënshkrua sot, më datë 18 shtator 2009, në Prishtinë, nga

Avokati i Popullit të Republikës                          Avokati i Popullit të Republikës

së Shqipërisë                                                                 së Kosovës

Z. Ermir Dobjani Z. Sami KURTESHI

(firma, vula) (firma, vula)