Tiranë më 23.03. 2012
Deklarate per mediat
Avokati i Popullit: Reagim ndaj një deklarate të cituar në media të zv/ministrit të Mbrojtjes, Ekrem Spahiu
Institucioni i Avokatit të Popullit u njoh sot nëpërmjet medias me një deklaratë ku citohet zv/ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu.
Deklarata në fjalë është botuar në një të përditshme të datës 23 Mars 2012 dhe lidhet me mbajtjen e një festivali të komunitetit LGBT (lesbike, gei, biseksual dhe transgjinorë) në kryeqytet.
Sipas citimit në këtë të përditshme, zv/ministri i Mbrojtjes është shprehur: “Ne jemi parti konservatore shqiptare, vlerësojmë trashëgiminë shqiptare si vlera të rëndësishme për një komb. Unë s’kam ndonjë koment tjetër, vetëm t’i kap në hu ato. Hu është fjalë dialektore, por besoj se kuptohet, ose thënë ndryshe shkop gome”.
Avokati i Popullit i kërkon këtij zyrtari të lartë të qeverisë shqiptare të deklarohet menjëherë mbi vërtetësinë e këtij citimi dhe të kërkojë në mënyrë urgjente ndjesë publike nëse kjo deklaratë fyese dhe denigruese është qoftë edhe pjesërisht e vërtetë.
Avokati i Popullit dënon fuqishëm çdo deklaratë dhe shprehje të këtij formati, që nuk ka asgjë të përbashkët me frymën e tolerancës, bashkëjetesës dhe diversitetit, si vlera tradicionale të shoqërisë shqiptare. Pervec kesaj deklarata te tilla nxisin dhunen dhe urrejtjen duke perbere keshtu edhe nje veper penale.
Duke e konsideruar këtë mendësi, si krejtësisht të papranueshme, Avokati i Popullit apelon çdo zyrtar shtetëror të çdo niveli, mbi papajtueshmërinë flagrante të këtyre deklaratave me procesin e intergrimit dhe vlerave europiane që mbart ky proces, vlera të cilat përjashtojnë kategorikisht sjellje dhe mendësi të tilla.
KABINETI

Avokati i Popullit Z.